Ndërsa u bë nënë e djalit të saj Jon rreth 7 muaj më parë, Adelina Tahiri gjatë kësaj kohe duket se është afruar më shumë me ndjekësit e rrjeteve sociale. Gjatë ditës së sotme këngëtarja shqiptare u ka dhënë mundësinë atyre, që ta pyesin për çdo gjë që dëshirojnë.

Dhe teksa një ditë më parë ajo tregoi rezultatin e testit të inteligjencës që kishte bërë online (ishte mbi mesataren), sot ajo u pyet nga një prej ndjekësve se çfarë ka studiuar. “E diplomuar dy herë dhe me Magjistraturë. P.S. Diplomën tjetër e kam në shtëpinë e beqarisë”, iu përgjigj Adelina, por pa dhënë detaje për degën te e cila është diplomuar.

Gjithashtu këngëtarja u pyet nëse do t’i mësojë që të flasë shqip apo maqedonisht djalit. “Unë me Jonin flas vetëm shqip”, shkroi Tahiri në Insta Story. Ndërsa një prej ndjekësve ishte kurioz të shikonte pjesën që i pëlqen asaj më shumë në shtëpi, Adelina publikoi një video ku shfaqet një pikturë gjigande. Në të duket e pikturuar këngëtarja dhe bashkëshorti i saj, Serjoza Markov.