Nga Alfred Peza/

Opozita e vjetër e Shqipërisë, pra PD, LSI dhe aleatët e tyre më të vegjël që dogjën mandatet për të dalë nga Parlamenti dy muaj më parë, sot nuk kanë më përballë as PS, as mazhorancën dhe as qeverinë e saj. Perdja e shfaqjes së tyre me maska politike ka rënë dhe spektatorët shqiptarë, kanë tashmë përpara syve, një finale krejt të re nga ajo që u tha në fillim, se do tu shfaqej. Atyre u tha se ishte Edi Rama ai që do të ikte nga skena e madhe. Por, qytetarët tanë dhe ndërkombëtarët po shohin duke mbajtur frymën, sesi po ikën ndoshta përgjithmonë prej aty, lidershipi i vjetër opozitar.

Nga e vetmja pengesë, nga i vetmi armik dhe nga i vetmi kusht i panegociueshëm për tu rikthyer në sistem, Kryeministri Edi Rama duke ruajtur qetësinë dhe vendosmërinë përgjatë këtyre javëve, ia doli që ta vendosi veten dhe shumicën që përfaqëson, në një pozicion të kithët me opozitën e vjetër dhe me të gjithë ata që e mbështetën atë qorrazi, në aksionin e saj vetëvrasës politik.

Kjo do të thotë se mazhoranca dhe opozita e vjetër, nuk janë më as përballë dhe as në pozicione të tilla politike që mund të përplasen një ditë, qoftë kjo edhe më 30 qershor. PD, LSI dhe aleatët e tyre, kanë edhe pak orë në dispozicion, për të kuptuar se tre armiqtë e tyre realë, janë krejt të tjerë. Ato gjenden jashtë gardhit të PS dhe qeverisë së saj. Ndaj sa më shpejt që ta kuptojnë këtë, aq më mirë do të ishte për ta.

Po kush janë këta tre armiq kaq të mëdhenj të Opozitës sonë të vjetër?

E para, armiku më i madh i PD, LSI e aleatëve të tyre, i Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Sali Berishës dhe Ilir Metës janë ata vetë. Eshtë vetë lidershipi politik opozitar që mori vendimin fatal: Për të djegur mandatet. Për të dalë nga sistemi. Për të kërkuar pushtet në tavolinë. Për të mos hyrë në zgjedhjet e 30 qershorit. Këto hapa janë pikërisht ato që e hodhën në greminën politike opozitën e vjetër shqiptare.

Duke luajtur kartën e fundit, që nuk është luajtur kurrë në asnjë demokraci funksionale të historisë moderne të njerëzimit deri më sot, lidershipi opozitar krejt tinëzisht besoi se në këtë mënyrë do ti hiqte gurin e themelit godinës së sistemit demokratik në Shqipëri. E bashkë me muret, do të rrëzohej edhe çatia, e bashkë me to edhe Edi Rama që ishte dhe është në majë të saj. Por këtë hap, jo vetëm asnjë mendje e huaj nuk e rroku, nuk e pranoi dhe nuk e përkrah, por siç u dëshmua këto 8-9 javët e fundit, atë as shqiptarët nuk e mbështetën. Kjo e çoi strategjinë opozitare të protesatave, drejt dështimit total.

E dyta, armiku tjetër më i madh i opozitës sonë të vjetër, është koha. “Tik- taku” që ishte një nga sloganet më të parapëlqyere të lidershipit të saj, për ti numëruar orët që i kishin mbetur qeverisë Rama, u shndërruan në boomerangun më të madh ndaj tyre. Tani “tik- taku” i rri jo si pika e ujit që gërryen në mënyrë të pandërprerë shkëmbin, por si një çekan, si shpata e Demokleut mbi kokë, liderëve të opozitës së vjetër.

Deri të martën e javës që po vjen, PD, LSI dhe aleatët e tyre kanë kohën përfundimtare për tu regjistruar në KQZ, në mënyrë që të marin pjesë në zgjedhjet lokale. Pas kësaj, atyre u digjet përfundimisht mundësia ligjore dhe kushtetutese, për të hyrë në garën e 30 qershorit. Nëse nuk futen në këtë garë, nëse nuk arrijnë që të regjitrohen, nëse nuk nxjerrin kandidatët e vet për këshillat dhe për kryetar në 61 bashkitë e Shqipërisë, opozita e vjetër praktikisht nis me këmbët e veta, rrugën pa kthim drejt kyçjes në muzeun e historisë politike të vendit. Megjithëse vetëm me 107 vjet histori, ky “muze” është shumë i pasur me ish parti, me ish liderë, me ish mbretër, ish presidentë, ish kryeministra, ish qeveri dhe ish opozita.

E fundit, armiku i tretë por i vërtetë i opozitës sonë të vjetër, është opozita e re që po lind për ti zënë vendin. Një zhvillim konkret që po ndodh tashmë në Shqipëri. Ky hap nuk është as pjesë e ndonjë konspiracioni, as e ndonjë skenari okult dhe as vepër e ndonjë dore të padukshme që luan fijet e zhvillimeve të pashpjegueshme politike në Tiranë apo kudo tjetër nëpër botë. Jo. Zëvendësimi i opozitës sonë të vjetër me opozitën e re, e ka një shpjegim shumë më të thjeshtë. Shumë më konkret. Shumë më real. Shumë më të prekshëm e të perceptueshëm nga gjithkush që do ta kuptojë këtë.

Ai lidhet me dialektikën. Me “shkencën që studion ligjet më të përgjithshme të lëvizjes e të zhvillimit të natyrës, të shoqërisë dhe të mendimit. Si dhe metodat shkencore të njohjes që i shohin sendet dhe dukuritë në lidhje e varësi reciproke, në lëvizje, në ndryshim e në zhvillim të pandërprerë, që pranojnë kontradiktat, unitetin e luftën e të kundërtave dhe i shohin këto si burimin e brendshëm të lëvizjes e të zhvillimit në natyrë, në shoqëri e në mendimin njerëzor.”

Siç shihet, tri armiqtë më të mëdhenj realë të opozitës sonë të vjetër, janë: Vetvetja, koha dhe dialektika. Të gjitha të tjerat, përfshi edhe mazhorancën, PS, qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama janë aktorë dhe faktorë plotësues në gjithë këtë histori. Ato nuk janë shkaku se përse lidershipi i opozitës sonë, vendosi që të shkonte drejt vetvrasjes politike, ndaj nuk mund të ishin pasoja e saj. Situata më e dhimbshme në gjithë këtë histori, është ajo e anëtarëve, simpatizantëve dhe votuesve të vërtetë opozitarë. Të cilët i kishin besuar verbërisht lidershipit të tyre, pa e ditur se mund të vinte kjo ditë, kur ato do të bëheshin jo vetëm djepi por edhe varri i ëndërrave të tyre të mëdha politike.