Alban Hoxha, në një komunikim me “Zona Gol”, e pranoi se i duhet të presë për të qenë në 100% të formës pas dëmtimit të pësuar. “Gardiani” i kuq beson se është viti i duhur për t’u shpallur kampion, ndërsa theksoi se dëshiron të mbyll karrierën te Partizani.

– Mendoni se është viti duhur për të fituar trofe?

– Shpresoj, gjithmonë kemi besuar. Thuajse çdo vit kemi qenë gati për t’u shpallur kampion, por për gabime të vogla na ka ikur nga duart. Mendoj se ky është viti i duhur, po punohet mirë, janë alternuar lojtarët e rinj me ata me eksperiencë. Akush nuk e priste që do të ishim në krye.

– Çfarë mendimi keni për Laçin dhe për Memellin?

– Nuk e njoh fare Memellin si trajner, e njoh si futbollist, ka qenë shumë sulmues i mire. Laçi ka treguar edhe në vitet e mëparshme që është një ekip i mirë, ka mundur edhe Skënderbeun dhe Kukësin. Vjet ka qenë një Partizan tjetër, i kemi kaluar ato vështirësi dhe probleme. Dua të flas për Partizanin aktual, kemi fituar shumë besim. Nuk kemi frikë, aq më tepër që luajmë në Tiranë. Ne kemi mundur edhe ekipe të tjera në fusha të vështira.

– A ka qenë momenti më i vështirë me Julianon, kur t’u hoq shiriti i kapitenit?

– Problemet nisën që në fillim. U dënua Trashi, më pas unë. Moxhi kërkonte të tregonte se këtu kishte rregull, por nuk i eci. Shiritin e dorëzova vetë. Nuk ka qenë vit i mirë te Partizani. Që nga koha kur jam unë këtu, ka qenë viti më i vështirë.

– Cikli më i mirë, momentet e tua më të mira?

– Me Shpëtim Duron kam kaluar shumë mirë. Trajneri duhet të dijë t’i marrë maksimumin lojtarit. Me Starovën po ashtu. Nuk duhet t’i bëj qejfin trajnerit aktual, puna e tij duket. Edhe me Gegën kam marrëdhënie shumë të mira.

– Cila dyshe mbrojtëse të ka dhënë më shumë siguri në portë?

– Në këto vite do të thosha Krasniqi me Atandën, por edhe dyshja e tanishme, Belica-Atanda. Ka dhe lojtarë të tjerë që më bënin të ndihesha mirë, si Vrapi dhe Rrahmani.

– Pse nuk keni provuar një eksperiencë jashtë Shqipërisë?

– Kam patur disa oferta. Nga momentin im i mirë edhe klubi ka kërkuar më shumë para. Kanë qenë tri oferta që janë prishur për pak para. Portieri është e vështirë të transferohet jashtë. Mendoj ta mbyll karrierën këtu, te Partizani, pasi të luaj 8 apo 10 vite të tjera.

– E keni kaluar dëmtimin?

– Nuk kam 100%. Është bërë një sakrificë nga ana ime, me shtysën e doktorëve. Kam pasur probleme me Skënderbeun dhe me Skënderbeun. Do të duhet ende kohë për të qenë në 100% të formës.