Prej 14 ndeshjesh Tirana nuk arrin të fitojë në derbin e kryeqytetit, por humbja e fundit në derbi la një shije të hidhur për mënyrën e reagimit të ekipit pas pësimit të golit.

Në ADN-në e Tiranës ka qenë gjithmonë grinta dhe karakteri i shfaqur në fushë, me të cilin ekipi arrinte rezultatin edhe atëherë kur ndoshta mungonte cilësia për ta marrë atë.

Pas pësimit të golit, reagimi i ekipit ishte i vakët, një qarkullim shterpë topi, rrezikshmëri minimale në portën e Partizanit, aq sa për pjesën më të madhe të sfidës, përjashto minutat e para, Alban Hoxha thjesht shëtiti fanellën në fushë, me Tiranën që shkonte në afërsi të portës, por nuk kishte forcën e duhur për të goditur apo rrezikuar siç duhet kuadratin e të kuqve.

Për më tepër, stili i lojës me të cilin Tirana po përpiqej të imponohej ndaj Partizanit, jo vetëm që ishte larg mënyrës së zakonshme të bardhebluve, por gjithashtu të krijonte idenë se vështirë se mund të funksionojë përballë mbrojtjeve të ngjeshura të Superiores dhe një mesfushe fizike të Partizanit, që e pati pothuajse problemin zero për të mbyllur hapësirat e fushës, shkruan “SS”.

Qarkullimi i shpeshtë i topit në kërkim të ndonjë hapësire që mund të vijë në mënyrë sporadike, nuk ka qenë ndonjëherë në stilin e Tiranës dhe kjo ishte mbi të gjitha ajo që la një shije të hidhur te tifozët bardheblu, që panë në fushë një skuadër pa grintën e reagimit, që vazhdoi të mos i përgjigjej spektaklit të tyre në tribuna, me lojën e shprehur në fushë.