Kishte nënshkruar rikthimin e tij me bardheblutë prej disa ditësh, por te klubi i Tiranës e kanë prezantuar zyrtarisht vetëm këtë të shtunë qendërmbrojtësin Tefik Osmani. Madje edhe njoftimin në rrjetet sociale e kanë bërë pasi futbollisti më parë udhëtoi drejt qytetit të Ohrit në Maqedoninë e Veriut, për tu bashkuar me bardheblutë e vendosur atje në fazë përgatitore, duke u aktivizuar në pjesën e dytë të miqësores së zhvilluar ndaj Renovës, e përfunduar në barazim 2-2.

“Tefik Osmani bashkohet me grupin në Ohër. Qendërmbrojtësi Tefik Osmani është zyrtarisht pjesë e Tiranës pasi ka arritur marrëveshjen për tu riveshur bardheblu për sezonin e ri futbollistik. Osmani u aktivizua 45’ në ndeshjen e sotme miqësore përballë Renovës. Osmani vjen si një përforcim me shumë vlera për repartin difensiv”, citon njoftimi i klubit në mediat sociale.