Nga Artur Ajazi

Edhe protesta e radhës ka degjeneruar në dhunë dhe akte rrugaçeske të paimagjinuara, duke treguar se, Lulzim Basha e ka vendosur jo vetëm të nxjerrë jashtë loje dhe jashtë ligji Partinë Demokratike, por edhe të sfidojë hapur madje dhe dhunshëm ndërkombëtarët.

Duke u fshehur siç thotë populli “pas gaxhoit” Lulzim Basha edhe kësaj here u fsheh pas “sovranit”, madje duke paralajmëruar me zërin e ngjirrur Edi Ramën se “protesta e rradhës do të dalë jashtë binarëve sepse do të vendosë sovrani”. Pra na del se deri sot, nuk ka vendosur “sovrani” por ka vendosur Lulzimi, Gazmendi, Flamuri, apo dhe ervinët e montazheve në galeritë e SHQUP-it. Pra na del se deri sot, dhuna dhe tmerri që kanë përjetuar qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, dhuna që kanë përjetuar institucionet dhe policët, ka qenë fund e krye skenar i Lulzimit, Flamurit dhe Gazmendit të tij, dhe jo i “sovranit”.

Si mundet që një kryetar partie, një kryetar opozite qoftë kjo edhe e dalë jashtë loje, të sfidojë ligjin, të tmerrojë burrat, gratë dhe fëmijët e Tiranës, si mundet që një grup ndjekësish të papërgjegjshëm të PD së Lulzimit, të trazojnë rendin e qetësinë, të djegin dynjanë, dhe strukturat e drejtësisë të heshtin?

Lulzim Basha ka kohë që tallet dhe sfidon hapur ligjin, institucionet kushtetuese, bindjet e qytetarëve, ka kohë që kërkon tu imponohet shumicës së shqiptarëve, ka kohë që i fryn ndarjes krahinore, ka kohë që sfidon në mënyrë të vazhdueshme kërkesën e ndërkombëtarëve për ndalimin e dhunës dhe nisjen e dialogut. Duke u fshehur pas “sovranit” që ai as e njeh dhe as e respekton, duke u fshehur pas një grupimi ndjekësish me maska që plagosin dhe djegin çdo javë Tiranën, Lulzimi po kthehet në problemin kryesor të shqiptarëve dhe organeve të drejtësisë.

Lulzim Basha kurrë nuk ka qenë dhe nuk është “sovrani”, kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë pjesë e tij, sepse ai hyn tek oligarkët e politikës së vjetër, hyn tek milionerët e një partie që sa kishte pushtetin, nuk la gjë pa bërë me paratë e shqiptarëve. Ti Lulzim nuk je, dhe nuk do të jesh kurrë pjesë e “sovranit” pas të cilit fshihesh edhe kur nis dhuna në protestë, pasi ti ke qenë, dhe je kundër tij.

Sovrani nuk është ai grupi i dhunës, që dirigjon ti, Flamuri dhe Gazmendi yt, nuk është celula me maska që po tmerron Tiranën çdo javë me molotovë, gurë dhe shashka, pasi sovrani ka folur dhe do të flasë qartë me ty dhe PD tënde, në 30 qershor. E vetasgjesuar politikisht, dhe e mbetur pa asnjë përkrahje si brënda dhe jashtë vendit si opozitë, duket se misionit të Lulzimit, Flamurit dhe Gazmendit të tij trimosh, po i vjen fundi.

Të tmerruar nga sinjalet e shpeshta të ndërkombëtarëve , të cilët nuk pajtohen aspak me rrugën pa krye të një opozite pa krye, grupimi i lulzimëve dhe gazmendëve, ka vendosur të kryejë këtej e tutje aktin e fundit të dramës së paramenduar, duke nisur nga 8 qershori, kur është paracaktuar protesta e rradhës. Kanë vendosur t’ja lënë në dorë “sovranit” gjithçka pritet të ndodhë , duke shpresuar të dalin “pa lagur”.

Kanë vendosur të kryejnë aktin e fundit, sulmet vandale ndaj institucioneve dhe uniformave të shtetit me çdo çmim. Paralajmërimet e Lulzimit, janë përpëlitjet e fundit të një kryetari që nuk përfaqëson më opozitarizmin në Shqipëri, por thjesht një parti, të kthyer në parcelë eksperimentale të “ustait” të vjetër të revolucioneve që pushtetin nuk e ka dashur kurrë me votë, por me dhunë.