Pas peticionit drejtuar ish-kryeministrit Sali Berisha dhe protestës së banorëve në Kodër-Kamëz, që kërkonin lejimin e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e shkollës së re “Nënë Tereza”, sot ka ardhur tërheqja. Senati i Universitetit Bujqësor të Tiranës i ka dhënë të drejtë Bashkisë së Tiranës dhe komunitetit të zonës në Kodër-Kamëz, duke deklaruar se nuk mund të mohohet nevoja që kanë banorët për një shkollë të ciklit parauniversitar, ashtu siç nuk mund të mohohet edhe interesi i lartë publik që vepra mbart në vetvete.

“Ndërtimi i shkollës është domosdoshmëri. Shkolla është vepër e mirëpritur. Takimet e ditëve të fundit qartësuan marrëdhëniet juridike dhe procedurale. Senati mbështet unanimisht marrëveshjen e lidhur mes UBT-së, ministrisë dhe bashkisë së Tiranës për paktin për universitetin” thuhet ndër të tjera në deklaratën e Senatit të Bujqësorit. Kështu rektori i universitetit, grupi i pedagogëve dhe studentëve me në krye dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi në protestë janë tërhequr duke i hapur rrugën shkollës së re. Disa orë përpara protestës së sotme të lajmëruar nga PD, mbyllet një tjetër protestë e opozitës.

Tashmë shkolla “Nënë Tereza” do të ndërtohet sipas gjurmës së përcaktuar nga Bashkia e Tiranës në studimin për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në qytetin e Tiranës.