Sinisa i mbajti ato në krahë, gjatë festës së titullit me Lazio në vitin 2000, njërën në të djathtë dhe tjetrën në të majtë. Ato ishin të vogla, ndaj i mbajti pa vështirësi. Sot, Virginia dhe Viktorija, vajzat e Mihajlovic, janë të mëdha, por shumë të afërta me babanë e tyre. Më shumë se kurrë, tani, që Sinisa po kalon sprovën më të vështirë të jetës, po lufton me sëmundjen e rëndë të leuçemisë akute.

Përmes rrjeteve sociale, miqtë e vjetër, ish-shokët e ekipeve ku ka luajtur, klubet që ka drejtuar si trajner, të gjithë kanë shprehu solidaritetin me 50-vjeçarin serb. Shumë mesazhe inkurajimi dhe dashurie i kanë shtuar forcën për të luftuar dhe mposhtur leuçeminë. Një betejë e vështirë dhe e gjatë, që do ta largojë nga futbolli, nga fushat e blerta, ku kaloi me burrëri pengesa të shumta.

Mbështetje për babain e tyre kanë shprehur edhe dy vajzat, publikisht. Lotët e paevitueshëm, që kanë rrjedhur në mënyrë private, do të mbeten mes tyre, por në Instagram shohim guximin për të vazhduar përpara, për të luftuar me sëmundjen: “Thuhet se Zoti ua jep pagëzimet më të vështira ushtarëve më të mirë, – shkruan Viktorija, e cila më pas vazhdon: – Ne kemi shumë forcë, por me dashurinë tënde jemi të pamposhtur. Faleminderit të gjithëve!”
Nga ana e saj, Virginia, në vend të kësaj, ka shkruar vetëm një fjalë, më të madhe se të tjerat: “Guerriero” (luftëtar). Sepse ai, babai luftëtar i mësoi ato të mos heqin kurrë dorë…