Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se, Lutjet e Mëngjesit ishin mundësi e shkëlqyer për të takuar zyrtarë të lartë amerikanë dhe liderë të shteteve të ndryshme nga tërë bota, për t’i njoftuar ata me arritjet e Kosovës dhe me përpjekjet për të vendosur paqe të qëndrueshme në tërë rajonin tonë.

“Ishte inkurajuese të konfirmohej që të gjithë në Uashington flasin me një zë për Kosovën, pa marrë parasysh për cilin institucion apo tabor politik bëhet fjalë. Jemi të bekuar që kemi mbështetjen e SHBA-së për zhvillimin e vendit tonë dhe ndajmë së bashku të njëjtat vlera e synime”, shprehet ai. Presidenti Thaçi thekson se, edhe në vetë Lutjet e Mëngjesit u dha mesazhi se paqja, toleranca, besimi dhe humanizmi janë vlera prej të cilave nuk duhet të shkëputemi asnjëherë gjatë transformimit të shoqërive tona.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë pjesëmarrjes në Lutjet e Mëngjesit takoi mes tjerësh Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo.