Pak ditë më parë, pasi shtrëngoi dorën e bashkëpunimit me komunitetin tropojan, kuksian dhe dibran te “Astiri”, të cilët i dhanë fjalën kryebashkiakut Veliaj se do të prishnin vetë ndërtimet pa leje në atë zonë e më pas e bënë realitet, kreu i Bashkisë së Tiranës mori sot edhe dakordësinë e komunitetit nga Tepelena, Skrapari dhe Korça, për vijimin e projektit të Unazës së Madhe.

Gjatë një takimi informal që pati me ta mëngjesin e sotëm, kryesisht banorë të ardhur nga zonat jugore të vendit, si Skrapari, Tepelena apo Korça, Veliaj gjeti mirëkuptimin e tyre për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit të projektit të Unazës së Madhe.

Ashtu si edhe Ukë Çelkolaj nga Tropoja, edhe Servet Merko nga Tepelena i dha fjalën kryebashkiakut dhe u shpreh i gatshëm që të lirojë ndërtesat e tij pa leje te “Astiri”, për t’i krijuar mundësi më pas mjeteve të IMT-së që të vazhdojnë me prishjet. “Kemi një muaj që e kemi boshatisur, e kam larguar qeraxhiun. Jemi për zhvillimin, është diçka që i shërben gjithë qytetit”, tha Servet Merko në krah të Veliajt.

Veliaj falenderoi banorët që janë distancuar nga aktet e bllokimit të rrugës dhe që kanë pranuar që t’i hapin rrugë projektit për transformimin e segmentit nga Pallati me Shigjeta deri te Dogana, në një rrugë që jo vetëm do sjellë zhvillimin e zones, por edhe do të çlirojë trafikun e makinave, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.

“Dua t’i falenderoj publikisht të gjithë miqtë, si ata nga Tropoja, Kukësi dhe Dibra që gjetën gjuhën me bashkinë për të bërë zhvillimet e tyre në anën tjetër, ashtu edhe miqtë tanë nga Tepelena, Skrapari dhe Korça të interesohen për familjet dhe për zhvillimin e tyre”, tha Veliaj.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here