Prej muajsh po vijojmë të përjetojmë një anormalitet politik që ka prodhuar qëndrimi i opozitës me djegien e mandateve dhe me protestat periodike që kanë si kusht largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme. PS në mazhorancë refuzon këto kushte të opozitës dhe kështu kemi hyrë në një stanjacion politik me Parlamentin ende të paplotë dhe me opozitën në rrugë. Sekretari i Grupit Parlamentar të PS, Ervin Bushati ka qenë i ftuar në “Top Talk” për të folur mbi këtë tematikë.

“Nuk mund të jemi në një mendje me opozitën. Por për këtë arsye bëhen edhe zgjedhjet. Probleme politike ka kudo në Europë. Një parti e madhe si PD, nuk mund të marrë nisma të tilla dhune”, u shpreh ai. Opozita pretendon që ka qenë e kushtëzuar nga mazhoranca për të arritur në vendimin e djegies së mandateve. Po a po bën diçka PS për hapjen e rrugës së dialogut?!

“Natyrshëm shqiptarët presin më shumë nga PS. Por në dilemën që na është vënë përpara: Do ndryshojmë pushtetin me votë, apo të kënaqim dëshirat e një opozite, e cila e zvogëluar si një fëmijë që nuk do të të dëgjojë zërin e arsyes. Ajo na ofron dy zgjidhje: Ndryshimin e pushtetit në tavolinë, ose të biem pre e shantazhit të një pjesë të opozitës”, tha Ervin Bushati. Më tej, i pyetur se a ka mazhoranca një plan për të dalë nga ky ngërç, Bushati u përgjigj: “Sa më të palogjikshme dhe të dhunshme të bëhet kjo opozitë, aq më tepër njerëzit kërkojnë zgjidhje nga ne”.