Sipas një artikulli nga “The Guardian”, alarmi për “Të nxehtin e Ferrit” që do ta kaploj Evropën tashmë është dhënë nga ekspertët.

Nga Spanja deri në Zvicër temperaturat mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius ndërsa autoritetet e vendeve të Evropës kanë bërë thirrje që fëmijët dhe të moshuarit të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.

Ky i nxehtë deri në 40 gradë Celsius sipas ekspertëve evropian po vjen nga Sahara me kombinim të një stuhie që hyn nga Oqeani Atlantik deri në Evropën Qendrore.

Në Republikën e Kosovës moti gjatë ditëve që lamë pas ishte i ndryshueshëm, ndërsa sa i përket kësaj vale të të nxehtit të paralajmëruar në Evropë, ka folur eksperti i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj.

Në disa nga vendet e Evropës si Spanja, ekspertët paralajmëruan një valë të të nxehtit të madh, duke thënë po ashtu se për shembull në Francë, ky i nxehtë nuk mbahet mend me dekada të tëra.

“Ferri po vjen”, me këto fjalë ka dhënë alarmin meteorologu Silvia Laphana në Spanjë, ku shërbimi meteorologjik i vendin paralajmëroi temperaturat deri në 42 gradë Celsius, dhe u paralajmërua rreziku i skajshëm se pyjet mund të marrin flake.

Në Francë, për valën e të nxehtit reagoi edhe ministri i Shëndetësisë duke thënë se ndjehet shumë i shqetësuar pasi popullata franceze nuk po i përfill paralajmërimet se duhet të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.

“Kjo ka të bëj me të gjithë ne, askush nuk është Super-hero kur bëhet fjalë për të nxehtit ekstrem i cili do të jetë të enjten dhe të premten”, u shpreh Agnes Buyzn në një konferencë për shtyp.

Ekspertët thonë se në Francë kjo nxehtësi në qershor nuk ishte parë që nga viti 1947. Madje Franca ka anuluar edhe provimet në shkolla deri në javën e ardhshme.

Por, derisa nëpër vendet e Evropës është vënë alarmi, sipas profesorit Tahirsylaj, Kosova ende ka kohë për ditët e të nxehtit përcëllues.

“Temperaturat më të larta që mund të shënjohen në muajin korrik do të sillen minimalet nga 20-22 gradë Celsius, ndërsa më të lartat do të shkojnë deri në plus 39 gradë Celsius, gjithnjë kur flasim për matjet profesionale në shtëpizat meteorologjike në hije, të cilat bëhen dy metër mbi nivelin e tokës, ndërsa era deri në 10 metër mbi nivelin e tokës me instrumentet përkatëse profesionale”, u shpreh Tahirsylaj.

Italia po përgatitet për “valën më të nxehtë të dekadës” ndërsa autoritet në Romë janë shqetësuar edhe për rrezikun nga mbeturinat e pa mbledhura, ndërsa tetë turistë, ndër ta edhe një britanik u gjobitën me 450 euro pasi u zunë duke u freskuar në shatërvanët e qytetit.

Gjermania është thuajse në të njëjtën gjendje. Sipas meteorologëve atje, në Berlin temperaturat gjatë të mërkurës do të arrijnë deri në 37 gradë Celsius.

Edhe Skandinavia do të përballet me temperature të larta. Në një pjesë të Danimarkës jugore dhe Suedisë parashikohet që temperaturat të jenë deri në 30 gradë Celsius.

Ndërkohë Tahirsylaj tha se për momentin ky mot që po mbretëron në Kosovë është i favorshëm për Florën e Faunën, madje i kontribuon edhe lumenjve dhe liqeneve.

“Vala e të nxehtit në Shqiperi dhe Kosove vjen zakonisht nga pjesa e Afrikës Veriore dhe këto masa të nxehta shprehin shprehin efektin si për florën njëkohësisht edhe për Faunën. Por, janë të mirëseardhura për bereqetet, do me thanë mbjelljet vjeshtore, grunajat, korrje-shirjet dhe kane efektin pozitiv. Nuk ka nevojë për shqetësim, do të ketë erë nga drejtimet veri-jugë deri në 8 metër në sekondë dhe njëkohësisht këto reshje do të ndërpriten gjegjësisht do të thotë gjatë mesit të javës, ditën e mërkure, për të vazhduar pastaj edhe gjatë ditëve në vijim që kanë efektin pozitiv për plotësimin e kushteve për tokën por edhe për mbushjen e liqeneve akumulues të cilët i kontribuojnë bujqësisë dhe furnizimin e popullatës me ujë të pijes”, shpjegon tutje Tahirsylaj.

“Në qytete temperatura mund të jetë më e lartë si rezultat i reflektimit të temperaturave të cilat vijnë nga materialet ndërtimore, hekurishtet, asfalti dhe shumë elemente, por ato nuk merren si temperatura të një vendi, ato janë vetëm çështje lokale. Por, në bazë të statistikave korriku është muaji më i nxehtë në bazë të statistikave historike që nga viti 1922”, tha në fund ai.