Teatri Kombëtar sjell premierën e një prej produksioneve më të mëdha të tij “Engjëjt e Amerikës”. Kryevepra e autorit të njohur Anthony Kushner do të vijë në skenë e ”arTurbina” nën regjinë e Arben Kumbaros.

Në rolet e dramës “Engjëjt e Amerikës” vijnë në skenë për publikun aktorët Genti Deçka, Helidon Fino, Luiza Xhuvani, Laert Vasili, Donald Shehu, Indrit Çobani, Ina Gjonçi, Luli Bitri, Vasjan Lami.

”Engjëjt e Amerikës” është cilësuar si një nga kryeveprat e dramaturgjisë bashkëkohore nga Anthony Kushner.

Vepra përbëhet nga dy drama, pjesa e parë titullohet “Afrimi i mijëvjeçarit” duke qenë se ngjarjet zhvillohen në vitet ’80, dhe pjesa e dytë titullohet “Perestroika”. Në sipërfaqe duket sikur është një dramë me tematikën dhe problematikën e komunitetit homoseksual në Amerikë, por në të vërtetë është më e thellë dhe bën fjalë për zhvillimet politike në Amerikë.

“Engjëjt e Amerikës” ka pasur sukses dhe si film, pasi ishte fituesi kryesor me 11 çmime Emmy. Kandidat në 21 kategori, ministeriali “Engjëjt e Amerikës” fitoi në kategorinë e filmit më të mirë. Aktorët Al Pacino dhe Meryl Streep, morën çmimin e aktorit dhe aktores më të mirë. Filmi fitoi gjithashtu në kategoritë për regjinë më të mirë si dhe atë të teknikës më të mirë.

Arben Kumbaro është regjisor i shumë produksioneve teatrale, të autorëve të njohur botërorë si Dyrrenmat, Beket, Cehov, Euripid, Shekspir, etj. Ai ka realizuar shumë shfaqe të suksesshme si brenda dhe jashtë Shqipërisë, si në Francë, Itali, Gjermani, Amerikë, duke marrë mjaft vlerësime nga kritika botërore. Fitues i disa çmimeve kombëtare. Ka punuar si pedagog në disa universitete të njohura në Europë dhe Amerikë.

Drama “Engjëjt e Amerikës” vjen premierë në “arTurbina” në mbrëmjet e datave 27-28 prill.