Nga Mero Baze/

Ndërsa Vetingu po jep frytet e para të pastrimit të sistemit dhe po forcon besimin se ata që degjeneruan sistemin e drejtësisë po dalin jashtë saj, ato forca politike që tentuan ta bllokojnë reformën në drejtësi dhe e degraduan sa mundën, me kushtet dhe presionet politike, kanë nisur të vajtojnë se ajo dështoi.

Lotët e krokodilit, që po derdhin për reformën, në fakt janë situata më gazmore rreth reformës, tani që ajo sapo ka filluar të funksionojë. Rezultat e para të saj janë mbreslënëse dhe opinioni publik po shokohet nga ato pak figura që po tentojnë të kapërcejnë pengesat e vetingut edhe pse e dinë se çfarë kanë bërë.

Në fakt paradoksalisht, këtë muaj kur janë shtuar të qarat e atyre që po pastrohen nga vetingu prej sistemit, janë shtuar dhe alarmet fallco, se reforma po dështon. Dhe këtu qëndorn paradoksi.

Reforma do të dështonte fjala vjen sikur gjyqtari Thanza, edhe pse ishte I dënuar në Itali, edhe pse këtë e ka ditur Sali Berisha dhe Bujar Nishani dhe prap e kanë dekretuar, ky të kalonte përsëri. Por kjo nuk ndodhi. Nuk po ndodh dhe me shumë kolegë të tij dhe këto janë lajmet më të mira për reformën.

Nuk e di çka pritur opozita të quaj sukses në reformë por nëse ka pritur të konfirmohen në detyrë këta që kanë shkatërruar sistemin, ajo do ishte fitore e tyre dhe vdekje e reformës. Në fakt ne tani po përjetojmë suksesin e reformës, edhe pse jan ëhapat e para të saj. Shqetësimi real vjen pikërisht prej suksesit të reformës dhe jo prej dështimit, se po të dështonte këta do ishin të gëzuar.

Besimi I tyre që reforma do të dëhstonte ka qenë aq I fortë sa bindja që kanë pasur shumë figura problematike të drejtësisë, se nën garancitë e tyre nuk ja vlente të jepje dorëheqje, por kanë tentuar të kalojne vetingun edhe pse i kanë dosjet sterrë. Është pikërisht kjo mbështetje politike antireformë që u ka dhënë atyre garanci se mund ta kalojnë lumin pa u lagur. Dhe janë pikërisht këta politikanë që tani po shikojnë si po u asgjesohen ushtarët e tyre në drejtësi dhe po vënë kujën.

Reforma në drejtësi mund të ketë problemr në të ardhmen, mund të ketë ngërçe proceduriale apo me cilësinë e figurave të reja që do të emërohen, por ajo është plotësisht e suksesëshme në mënyrën si ka filluar, pasi po dëshmon para syve të shqiptarëve, se çfarë sistemi kemi pasur. Por me sa duket ashtu si ai gjyqtari që ka vjedhur në Itali dhe mendonte se mund ta kalonte vetingun dhe opozita jonë pasi ka bastarduar drejtësinë, mendon se fitore do të ishte që ajo të mos prekej. Dhe tani ka vënë kujen se reforma ka dështuar. Në fakt ka dështuar përpjekja për ta bllokuar reformën. Dhe ata e kanë të sinqertë vajtimin.