Një konflikt shumëvjeçar mes 2 vëllezërish nga Patosi ka ardhur sot në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24. Hiqmet Kamberaj aktualisht ndodhet në arrati për shkak se kunata e ka akuzuar për dhunë dhe gjykata e Fierit dhe ajo e Apelit Vlorë e kanë shpallur fajtor dhe e kanë dënuar me disa muaj burg.

Bashkëshortja e Hiqmetit, zonja Shaniko rrëfeu në lot në emision se debatet me kunatin kanë filluar para shumë vitesh, arsyen nuk e ka kuptuar kurrë, por ajo thotë se si shkak i problemeve që iu ka hapur i kunati, ajo ka menduar edhe vetëvrasjen.

“Me dhjetëra episode kur na ka sulmuar dhe na ka vënë në vështirësi, denoncime pafund të rreme në polici dhe së fundmi e shoqja bashkë me kunatin kanë sajuar dhunën dhe e kanë denoncuar tim shoq”, tha Shaniko.

Hiqmeti dhe familjaret e tjerë e mohojnë në mënyrë kategorike këtë akuzë të bërë madje dhe motrat janë vendosur në krahun e tij. Ata bëjnë apel që kjo çështje të zbardhet dhe të mes vuajë një dënim të pamerituar Hiqmeti pasi është i pafajshëm.

Në një lidhje telefonike ‘live’ me emisionin, Hiqmeti foli nga arratia duke pranuar të dorëzohet në polici me kusht që të zbardhet e vërteta.

“Për tre orë do iki në shtëpi, le të vijë policia le të më kapë. Doja vetëm ta bëja publike. Në qoftë se unë kam faj kam kërkuar burgim të përjetshëm”, tha ai, ndërsa në studio si bashkëshortja e tij ashtu edhe motra shpërthyen në lot.

Ato aluduan se kjo gjë bëhet për lekë dhe ka qenë kunata ajo që e ka futur të shoqin të denoncojë e shkaktojë këto probleme. Sipas tyre, ai është një person me probleme të shëndetit mendor.

Nga ana tjetër kunata që ka bërë denoncimin, Miranda disa herë përsëriti në lidhje telefonike se akuzat e saj janë të vërteta. “Ndihem e kërcënuar dhe janë të tëra të vërteta. Kam urdhër mbrojtje. Ka ardhur në banesë, më ka mbytur bashkëshortin”, tha ajo.

Edhe banorë të zonës telefonuan në studio, duke deklaruar se personi që ka denoncuar është me probleme dhe e njeh i gjithë komuniteti pasi ka shkaktuar vazhdimisht probleme.

Por ajo që rezultoi ishte dhe fati i fëmijëve të çiftit, një 15-vjeçar. Sipas psikologëve në studio, ai duhet të largohet nga prindërit dhe të dërgohet tek të afërmit pasi nga dëshmitë, situata aktuale familjare dhe gjendja e nënës dhe të atit të tij mund ta rrezikojë seriozisht.

Gruaja e të akuzuarit i bëri apel kunatës të heqë dorë nga këto akuza dhe të mbështetet tek ta. “I them Mirandës që e kam shumë xhan, të kthehet në gjirin tonë, bashkë me fëmijën. I bëj apel gjykatave, drejtësisë, duam drejtësi. Jemi të shkatërruar nga kjo çështje”, tha ajo.