Në këtë “Periferi” nuk dua të përmend emra, edhe pse konteksti do të sjellë në mendje personat për të cilët bëhet fjalë. Nuk dua të përmend emra, pasi, nuk është individi që më intereson, por fenomeni, i cili mendoj se është një vlerë e jashtëzakonshme për vendin. Emrat nuk dua t’i përmend edhe për një arsye tjetër: Eshtë bërë tashmë praktikë shqiptare që çdo kritikë, mendim ndryshe drejtuar kujtdo, kthehet në një baltnajë që mbledh të gjitha fantazitë, shpifjet, agresivitetin që gjendet poshtë e lart: Fjala e fundit thuhet e para, duke shkatërruar egërsisht çdo marrëdhënie njerëzore apo profesionale të krijuar. Të kritikuarit nuk e kanë për gjë të flasin jo sipas eksperiencës apo dijes së tyre, por sipas fjalëve që të tjerë i kanë thënë. Nuk e pretendoj, që mendimi im të përputhet me shumicën. Kinse, që në lindje, këtë blog “periferik”, të pazhurmë e pa qëllime pëlqimembledhëse, e imagjinova.

Flasim shumë për të rinjtë që duhet të sfidojnë politikën e vjetër, atë politikë që na ka lodhur e na lodh me konfliktualitetin që prodhon. Të gjithë jemi të dëshiruar të shohim të rinj sfidues në horizont, të rinj të guximshëm që thonë të vërteta e që mund të jenë shpresa e bukur për ndryshim. Në fakt, herë pas here, të tillë dalin, po përse nuk kapin dot zemrat e shumicës së shqiptarëve? Përse në vend që të zënë vend, mbeten të izoluar e shndërrohen në kometa që shuhen e zhduken nga syri i vëmendshëm i njerëzve? Si duhet të jenë këta të rinj sfidues? Njësoj apo më të mirë se politikanët që shohim sot?

Besoj se duhet të tregojnë se janë më të mirë. Kjo është barra më e madhe e tyre: Duhet të jenë më progresistë, mendjehapur e të drejtë se politikanët që kemi sot. Por çfarë ndodh? Ku gabojnë? Ja tre eksperienca personale.

1. Ju kujtohet nisma dhe intensiteti i njërit prej tyre për të demaskuar doktoraturat false të shumë personave publikë, qeveritarë, opozitarë e akademikë? Punë shumë e mirë. Por në të parin moment që ne të Shqiptarja.com vërtetuam se softweri i përdorur për të demaskuar, nuk ishte një punë shumë serioze, reagimi i tij ishte sikur të kishim ngritur petët e një byreku të prishur. Përse? Me të njëjtën metodë, e me të njëjtin softwer treguam se edhe doktoratura e demaskuesit rezultonte plagjaturë. Pra mjeti në dorën e demaskuesit nuk ishte i saktë, ishte një mënyrë që mund të kalonte në sitë sigurisht plagjaturistët e shumtë, por mund të shërbente si armë që mes tyre të njollosej edhe kush kishte bërë punë të mirë. Si media vërtetuam se me një mjet të padrejtë, nuk mund të bëhet një luftë e drejtë. Lufta për plagjaturat ishte njësoj si të themi sot se politikanët janë të korruptuar, gjykatësit gjithashtu, mjekët gjithashtu. Përgjithësime, apo jo? Pra softweri ishte një mjet i shfarosjes në masë, i cili nuk bën dallime shkencore dhe njerëzore.

Mjaftoi kjo kritikë, që demaskuesi të merrte formën dhe fjalët e më të keqes politikë: Shpifje, agresivitet. A mund të ishte kjo një formë e re për të luftuar politikën e vjetër? 2. Në një luftë të përjetshme në mbrojtjen e mjedisit dhe në rreshtimin tonë si grup mediatik përherë në krah të natyrës dhe të harmonizimit të saj me kërkesat e njeriut për një jetë dinjitoze, kemi vënë gjithnjë alarmin, për shembull, edhe për kioskëzimin e lumenjve të Shqipërisë dhe mbushjen e tyre me Hidrocentrale. Kemi qenë për shumë vite ndër të vetmit që kemi denoncuar dhënien e lejes të mbi 14 hidrocentraleve mbi Valbonë duke e kërcënuar seriozisht këtë lumë të mrekullueshëm dhe kemi marrë kërcënime serioze nga pronarë licensas të këtyre hidrocentraleve. E megjithatë, kur të gjithë u anuluan falë edhe luftës sonë dhe vetëm dy prej tyre do të vazhdonin punën, menduam të domosdoshëm për energjinë elektrike dhe zhvillimin e zonës, u përballëm me më të shëmtuarën formë sulmi e shpifjesh nga ata që nuk e prisnim. E kam fjalën për disa eksponentë të lëvizjes LGBT. Lëvizje që gjithnjë kemi mbështetur për luftën e madhe dhe konkrete që kanë bërë për të sensibilizuar një vend të mbyllur dhe diskriminues si i yni. Pra, djem e vajza mëndjehapur e luftarakë u shndërruan papritur në “talebanë” të mendimit ndryshe dhe huazuan shpifjet, argumentet dhe fjalët e më të shëmtuarës politikë që prej vitesh provojmë. Kuptohet se disa nga këta djem dhe vajza të LGBT-së mund të dëshirojnë të bëhen politikanë të ardhshëm dhe sfidues të politikës së vjetër (Serbia ka një kryeministre nga komuniteti LGBT), por në momentin që ata për të debatuar vishen me petkun e politikanëve demode e të padëshirueshëm, ku mendojnë se mund të shkojnë dhe kë mendojnë se sfidojnë?

3. Shembullin më të fundit, edhe pse mund të ishte tepër i gjatë vargu i shembujve të dhënë, do ta sjell nga një përfaqësuese aktive e shoqërisë civile, e cila, me metoda sharjesh që do të linin me gojë hapur këdo, kundërshtonte faktin që media nuk duhet të transmetonte ngjarjen në një spital privat ku humbën jetën, për shkak të menaxhimit diskriminues e të korruptuar, 4 vetë. Reagimi i vajzës së shoqërisë civile ishte censurues, nxitës për mbyllje sysh apo goje, në respekt të interesave private përballë atyre publike nga një anë, dhe dukshëm i veshur me padije në fushën e gazetarisë perëndimore që ka trajtuar raste të ngjashme. Dhe sidomos, e përbashkëta edhe me dy rastet e mëparshme, argumentat sulmuese u morën menjëherë nga shpifjet që politika e vjetër prodhon dhe jo nga argumente bindëse kundërshtuese.

Atëherë, të rinjtë që duan të minojnë sistemin që nuk e pëlqejmë, duhet të jenë më të mirë, njësoj, apo më të këqinj se politikanët që sot po përballojmë? Ja ky është reflektimi që uroj të mos ngjallë të tjera burime agresiviteti, urrejtjeje. Mbi këtë, pa ofenduar apo linçuar, kushdo dëshiron, mundet, të tjera shembuj të heqë apo shtojë. Kush dhe si do të jenë dhe duhet të jenë politikanët e së ardhmes?