Treguesit fiskalë gjatë 3 muajve të parë të vitit u rritën ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në 3 muajt e parë të vitit 2019 të ardhurat në total kapën shifrën rreth 108 miliardë lekë, ose 865 milionë euro.

Shifër kjo 2.6 miliardë lekë më shumë se në 3-mujorin e parë të vitit të kaluar, ku u mblodhën 105.4 miliardë lekë.

Performancë pozitive ka pasur mbledhja e tatimit mbi fitimin në rreth 11.6 miliardë lekë, nga 9.7 miliardë që janë mbledhur vitin e kaluar; tatimi mbi të ardhurat personale, ku janë mbledhur 9.4 miliardë lekë, nga 8.5 miliardë lekë që u mblodhën në mars 2018.

Rritja e të ardhurave mbështet konsolidimin fiskal të ekonomisë së vendit duke mbështetur rritjen ekonomike.