“Tarifa 100% ndaj Serbisë nga pikëpamja e CEFTA-s është e papranueshme, por ajo nuk është masë tregtare, por një reagim dhe një klithmë e një vendi të lënë në izolim të papranueshëm nga BE, si rezultat i mosliberalizimit të vizave dhe një vendi që ka bërë gjithçka për të normalizuar procesin me Serbinë, por nuk ka marrë mbrapsht të njëjtat rezultate”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një takim me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, ku shprehu shqetësimin për degradimin e marrëveshjes së CEFTA-s.

“Kjo shkon kundër gjithçkaje që kemi parafytyruar dhe jemi përpjekur të bëjmë bashkërisht në tryezat e procesit të Berlinit, të iniciuar nga Kancelarja dhe të mbështetur nga shumë vende që ju përfaqësoni këtu”, – iu drejtua Rama, përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Pavarësisht se marrëveshja CEFTA-s sot është në një situatë të degraduar, Rama tha se “ne e kemi të pamundur të reagojmë në funksion të rikthimit në gjendjen e mëparshme, nëse nuk ka një zhvillim serioz pozitiv dhe të qëndrueshëm në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës dhe nëse nuk ka vullnet për të korrigjuar të gjitha ato aspekte degraduese të marrëveshjes që pararendën tarifën 100%”.

Ne do të bëjmë çmos, tha Kryeministri Rama, “për të thjeshtuar ngarkesat e krijuara së fundmi”. “Kjo duhet të vlejë për të gjitha vendet tuaja, për të kuptuar atë që dukej thjesht si parashikim i zymtë, që e shkuara në Ballkan është një fantazmë që është lehtësisht në rrugën e kthimit, nëse BE dhe vendet e mëdha të Europës harrojnë që për ta ndryshuar faqen u desh një luftë me bomba”, – tha Rama.