Nga Alfred Peza

Ka një listë të pafund veprimesh dhe mosveprimesh nga ana e lidershipit opozitar, të paktën që nga momenti i djegies së mandateve dhe daljes së tyre nga sistemi politik i vendit, që mund të përmblidhen me një fjalë: Tallje! Një tallje e madhe për përkrahësit dhe mbështetësit që i kanë besuar deri dje, gati gati verbërisht, liderëve dhe partive politike që kanë votuar.

Tallja qëndron në faktin se e gjitha çfarë po ndodh, nga dalja prej Parlamentit dhe deri tek bojkoti i paralajmëruar për garën e 30 qershorit, nuk ka asnjë lidhje me atë që trumbetohet publikisht nga lidershipi i “Opozitës së Bashkuar”. Dalja nga sistemi po kuptohet gjithnjë e më qartë nga shumkush, se nuk ka fare lidhje me pretendimet për garancitë e standartit të zgjedhjeve, me funksionimin e institucioneve, me lirinë, me demokracinë, me pluralizmin dhe me përralla të tjera politike si këto që po u tregohen çdo ditë.

E gjitha çfarë po ndodh, ka lidhje vetëm me një gjë. Ka lidhje me atë që është edhe thelbi i gjithçkaje që po e çon opozitën e vjetër ish parlamentare, drejt vetvrasjes politike. Ka lidhje me deklaratën e Sali Berishës të kësaj jave, kur e tha shkoqur dhe qartë: Ose do përmbyset qeveria e Edi Ramës, ose opozita do të shkrihet!

Eshtë kaq e thjeshtë dhe kaq e qartë. Pra askush nuk po kërkon nga qeveria as standarde, as garanci, as rregulla loje, as dialog, as bisedime, as ndërmjetësime, as tryeza, as arësye, as llogjikë, as argument, as prova, as fakte, as liri, as demokraci. Jo. Kjo pjesë e opozitës jashtë sistemit tani ka vetëm një alternative. Ajo njihet si alternative e “ose, ose”-s. E cila ka qenë një nga parrullat e dikurshme revolucionare, që kishim besuar se i përkisnin ca epokave të tjera: Ja vdekje, ja liri! Ose jetë, ose vdekje! O me ne, o kundra nesh!

E shtruar në këtë mënyrë për zgjidhje nga ana e opozitës sonë, ajo do të thotë: Ose e duam pushtetin në tavolinë, ose do ta hedhim veten në erë. Ose do përmbyset kjo mazhorancë (legjitime), ose opozita do shkrihet! Rrugë të mesme nuk ka.

Sigurisht që gjithkush me dy pare’ mend në kokë si brenda dhe jashtë këtij vendi, e kupton se kur një lider, një parti apo një grupim opozitar arrin deri në këtë pikë politike, do të thotë se e ka një hall të madh. Një hall të pandodhur më pare. Një hall të parrëfyer dhe të pangjashëm me asnjë hall tjetër të derisotëm të lidershipit opozitar. Ndryshe, e gjitha kjo rrugë e paprecedentë “in extremis” ku e kanë futur veten, nuk ka jo vetëm asnjë llogjikë, por as edhe një kuptim tjetër!

Mënyra sesi po kërkojnë të dalin nga ky hall dhe rruga që po ndjekin, nuk ka të dytë në asnjë rast, në asnjë kohë, në asnjë epokë dhe në asnjë shtet tjetër, të botës demokratike. Askush nuk e ka fituar pushtetin në një rrugë jo institucionale, jo politike dhe jo demokratike. Ndaj, asnjë ndërkombëtar nuk i ka mbështetur, përkrahur apo inkurajuar.

Pyetja që lind është: Kur kanë mbërritur deri në këtë pikë dhe nuk duan gjë tjetër veç të iki PS dhe Edi Rama nga pushtetit që të vijnë ata pa votë, pa zgjedhje, pa vullnetin dhe dëshirën politike e elektorale të qytetarëve shqiptarë, atëherë përse bëjnë tryeza politike? Përse ofrojnë platforma me 10 pika apo me detyrat që duhet të plotësojnë gjoja qeveritë tranzitore, që askush nuk di ta thotë, se si mund të krijohet?

Përse shkojnë e takojnë Presidentin e Republikës duke na treguar edhe ca letra ku shkruhen nja 12 pika të tjera dhe ku i kërkojnë atij që të angazhohet për tryeza debati, dialogu dhe kush e di se çfarë përallash të tjera gjoja parimore si këto?! Kur e duan pushtetin në tavolinë që të zgjidhin hallin e madh që u ka rënë, përse e ftojnë popullin herë në “revolucione” dhe herë në aksione për “mosbindje civile”?

Përse bëjnë herë sikur i qajnë hallin banorëve të “Astir”-it, herë popullit të Kosovës, herë studentëve, herë qytetarëve të zonave të ndryshme të Shqipërisë, kur në fakt ata paskan vetëm dhe vetëm frikën, merakun dhe hallin e tyre personal? Përse vazhdojnë ta shesin këtë hallin e tyre krejt personal, herë si hall politik, herë si hall demokracie, herë si hall lirie, herë si hall qytetar dhe gjithmonë vetëm e vetëm si një hall të madh kombëtar?!

Qytetarët shqiptarë edhe nëse nuk i kanë kuptuar të gjitha këto lojëra e akrobaci, e kanë ndjerë që ftesa për tu bërë pjesë e “revolucionit më të madh” kundër qeverisë së Edi Ramës, ishte thjeshtë një fyerje për inteligjencën e tyre. Sepse ajo nuk ishte gjë tjetër, veçse tallja më e madhe që po tentohet ti bëhet shqiptarëve, në emër të gjoja atyre vetë. Ndaj opozita sot është më e braktisur se kurrë. Një popull mund ta gënjesh një herë, mund të bësh edhe sikur po e gënjen herë tjetër, por kurrë nuk mund tia dalësh kështu pa u lagur, për 30 vjet me radhë!