“Të rinjtë janë ata që mund t’i japin një tjetër dimension pushtetit lokal në Bashkinë Berat”. Me këtë mesazh Asambleja Rinore e Forumit Rinor të Partisë Socialiste në Berat, ka zhvilluar sot një takim me Ervin Demon, kandidati i pritshëm socialist në zgjedhjet vendore në Berat, aktualisht i mobilizuar në terren, pranë Partisë Socialiste në Berat.

Në një pjesëmarrje masive, të rinjtë kanë bashkëbiseduar me Demon mbi rolin e të rinjve në komunitet, shoqëri, politikë, por edhe mbi fuqizimin e pushtetit vendor, që ky i fundit t’i shërbejë më mirë nesër komunitetit të të rinjve në Bashkinë Berat. I deleguari për të rinjtë në partinë socialiste, Kejsi Hoxha ka thënë se është një sinjal pozitiv që të rinjtë e Beratit kanë shansin të bashkëpunojnë me një politikan shumë afër të rinjve si Ervin Demo, për të çuar përpara të gjitha ambiciet e të rinjve të qarkut dhe Bashkisë Berat.