Nga Odise Kote

Me një arrogancë të pashembullt e ligjërim krejt ordiner, “rishtari” në politikë, përgjegjës i një detyre të rëndësishme partiake, mbi të gjitha në moshë të re, G.Bardhi e quan ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj “mbeturinë të komunizmit” e ministren e Drejtësisë Etilda Gjoni “një kukull” pa vlerë.

Nuk do kishte asnjë rëndësi opinioni nëse nuk do ta konsideronim të gjithë elitën politike një pasuri të çmuar kombëtare. Aq më tepër për ata që sapo nisin karrierën e tyre.

Tek G. Bardhi fillimisht u perceptua shpresa, si një ardhje intelektuale, frymë e re, por shpejt u mësua se i tillë ligjërim turpëron më shumë se çdo mallkim.

Sa për dy ministrat, Lleshaj e Gjoni, shkollimi i tyre perëndimor, formimi intelektual dhe performanca e integriteti moral janë të verifikuara si modele që duhen respektuar për vlerat që bartin.

I dehur prej mikrofonit mediatik dhe i dashuruar me vetveten, G. Bardhi ka disa dalje publike që në vend të ligjërimit normal, plot argumente politike e kolorit gjuhësor, zgjedh më të rëndomtën; normën e vjetër bizantine të zhargonit mediokër.

I shikon njerzit, realitetin, qytetarët shqiptarë, shtetin, ndërkombëtarët, B.Europian, zyrtarët e lartë të administratës amerikane jo me sytë e tij, as në format e përmbajtjen e tyre reale, por të deformuara në optikën e mitingut, protestës, shashkave, tymueseve, dhunës, ngjirjes pa kuptim të drejtuesit të vet politik.

Me gjithë zhbirimet pafund, enigma se përse ligjëron kësisoj G. Bardhi, nuk zbehet. Përkundrazi. Më shumë fshehtas se haptas, me etjen për lavdi të shpejtë, bashkë me smirën që nuk e fsheh dot, duket se po e çojnë Bardhin drejt përçartjeve që e ndjekin gjithandej. Dhe dihet që përçartjet janë shenjat e para të marrëzisë.

I përzier në të vërteta të rrezikshme, G.Bardhi zgjedh të përhapë jehona, që përveçse mund të jenë pengim i shtetit të së drejtës, e vetë të vërtetës, mund të jenë dhe nga ato kurthet që mund ta rrëzojnë shpejt karrierën e tij politike.

D.mth, kurban! Mëshira për këtë rast nuk është fjala e duhur. Mëshira është fjalë e kobshme. Ajo ndjell zi. Ofron qasje në gjëmë.

Mund të ishte fjala: I mosduhuri për këtë lloj ligjërimi! Duke mprehur guximin dhe shpresën e mirë, do të ishte e udhës që G. Bardhi ashtu siç mëson Zigmund Freud, le të kryejë natën një rishqyrtim të ndërgjegjes. Sepse netët nuk mund ti gënjesh. Ato të kujtojnë gjithçka që ke haruar…

Dhe shija e pare që të vjen, është zhgënjimi. Për të mbërritur në agimin e bardhë të fitores, nuk ka rrugë tjetër përveç se natës…