Ndotja e mjedisit mesa duket nuk është një problem i kohëve moderne.

Shkencëtarët kanë zbuluar gjurmë të hershme të ndotjes në Ballkan, që shkojnë deri në vitin 3600 para Krishtit.

Minierat dhe shkrirja e metaleve në epokën e hershme kanë krijuar ndotje në sasi të tillë që të mund të zbulohet në ditët e sotme.

Shkencëtarët thonë se ndotja përkon me fillimin e epokës së bronzit në rajon dhe lindjes së metalurgjisë në shkallë të gjerë në Europë.

Për të kuptuar se sa i hershëm rezulton ky fenomen në Ballkan, duhet të kujtojmë se në të njëjtën epokë në Mespototami po zhvillohej shkrimi për herë të parë, Britania e Madhe ishte ende në epokën e gurit, ndërsa piramidat e Egjiptit do të ndërtoheshin pas 1 mijë vjetësh.

Nga procesi i nxjerrjes së metaleve çlirohen grimca mikroskopike që ngjiten në atmosferë e më pas transportohen në distanca të largëta përmes erërave, për t’u kthyer sërish në tokë.

Shtresat e torfës janë depozitat ideale për këto grimca, pasi transporti atmosferik është rruga kryesore nëpërmjet të cilës elementët ndotës mund të arrijnë në këto vende.

Shtresat e vendosura njëra mbi tjetrën bëhen kështu një pasqyrë e ndotjes së mjedisit në kohë të ndryshme.

Studimi i publikuar në revistën shkencore PNAS përbën regjistrimin e parë të ndryshimit të ndotjes nga Europa Juglindore, i rindërtuar në bazë të ndryshimit të përqendrimit të plumbit në një depozitë torfe nga Serbia perëndimore.

Studimi gjeti dëshmi të niveleve të ngritura të plumbit që datojnë në vitin 3 600 para Krishtit.

Kjo është ndotja metalike mjedisore më e vjetër e njohur deri tani në Tokë dhe e vendos Ballkanin në pararojë të periudhës së zbulimit dhe zhvillimit metalurgjik në Epokën e hershme të Bronzit.