Spitali i Fierit nuk ka largim të mjekëve drejt Gjermanisë.

Ky është reagimi që Drejtoresha e këtij spitali Nevila Shuke bëri pas prononcimit që presidenti i Urdhrit të Mjekut Besnik Brahimaj dha ditën e djeshme, në të cilën informoi se brenda këtij viti janë larguar rreth 13 mjekë nga spitali i Fierit.

Drejtoresha Nevila Shuke duke iu mbështetur faktit të mungesës së dokumentacionit tha se ky spital nuk ka largim të mjekëve specialist.

Deklaroj me përgjegjësi të plotë se Spitali Rajonal i Fierit nuk është përfshirë nga largime të mjekëve specialistë nga ky spital drejt Gjermanisë apo vendeve të tjera. Nisur nga intervista që Presidenti i Urdhrit të Mjekëve ka dhënë për mosmbulim të tre shërbimeve të rëndësishme, të shërbimit të pediatrisë, janë faktet që flasin, kemi 6 mjekë specialistë, paralelisht dhe 2 mjekë pediatër në atashim që punojnë në repartin e pranim-urgjencës të Pediatrisë.

Nevila Shuke, drejtore e Spitalit të Fierit

Drejtoresha Shuke tha se spitali i Fierit nuk ka mungesa mjekësh specialist as në imazheri apo neurologji, teksa bëri me dije se plotëson të gjitha nevojat për shërbimet shëndetësore të pacientëve të ardhur nga gjithë bashkitë e rajonit.