Prokurori Shkëlzen Cena është tërhequr nga gara për të qenë anëtarë i SPAK. Së fundmi, ai ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kërkesën e tërheqjes nga gara për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Këshilli ka miratuar me 10 vota pro kërkesën e tij.

Shkëlzen Cena, aktualisht prokuror në Dibër, u gjet nga KPK me probleme të pasurisë, kryesisht mbi një kredi të marrë për një shtëpi, një kontratë noteriale për të cilën kishte qëndrime kontradiktore, një makinë për të cilën ishin nënshkruar dy kontrata dhe mungesë burimesh financiare për disa vite.

Cena po ashtu u gjet me probleme sa i përket disa hetimeve që kishte ndjekur, kryesisht me të akuzuar për kontrabandë. Ndaj tij, pati edhe një raport negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar sipas të cilit kishte dyshime se ai ishte përfshirë në korrupsion pasiv dhe se kishte kontakte të papërshtatshme.

Megjithatë, ai i ka mohuar këto akuza.

Ndërkaq, sot në mbledhjen e KLP -së, Komisioni i Karrierës paraqiti një relacion për mënyrën si do të veprohet me caktime të përkohshme para krijimit të KLP-së dhe hapat që duhen ndërmarrë në vijim.