Një projekt që parasheh pyllëzimin e zonës së Spaçit ka hasur në kundërshtinë e së ashtuquajturës shoqëri civile.

Edhe pse nuk bëhet fjalë për betonizim por për gjelbërim, Instituti për Demokraci, Media & Kulturë – IDMC, e sheh të paarsyeshme që aty të mbillen pisha e qiparisa.

“Ish-kampi dhe burgu i Spaçit është një vend kujtese për punën e detyruar, vuajtjet, poshtërimin, torturat dhe vrasjet që u bënë kundrejt personave që kaluan dënimin aty nga viti 1968-1990.

Përkujtimi i viktimave të Spaçit nuk mund të bëhet përmes pyllezimit të kampit, por duke ruajtur strukturen e tij te tanishme, duke e kthyer ne muze dhe duke treguar historine e terrorit komunist pikerisht ne ato godina dhe ate peizazh autentik qe zona ofron.

Autoritetet lokale dhe qendrore që menaxhojnë objektet muzeale siç eshte edhe Spaçi duhet të mbajnë përgjegjësi direkte ligjore për ndërhyrjet dhe dëmet që shkaktohen aty”, thuhet në një deklaratë.

Sipas kundërshtarëve të projektit, Spaçi duhet t’u përcillet brezave ashtu siç ka qenë e është.

“Brezat e rinj dhe gjithe te interesuarit që do ta vizitojnë kampin dhe burgun e Spaçit duhet ta njohin ate ashtu siç ka qene, prandaj ai duhet të qëndrojë i paprekur ne strukture. Prej vitesh, te vetmet nderhyrje te ndermarra nga aktore lokale dhe nderkombetare kane qene vetëm në funksion të mirëmbajtjes, të mos rrëzimit të ndërtesës apo të informimit me tabela orientuese”, thotë deklarata e IDMC.

Dhe në fund apelohet me gjuhë ultimative:

“Larg duart nga Spaçi! Ka mjaft zona të tjera që kanë nevojë t’ju japim jetë duke mbjellë pemë nga organizatat ambientaliste. Spaçit nuk mund t’i japim jetë në këtë formë. Në këtë mënyrë viktimat e Spaçit i vrasim për herë të dytë. Viktimat e Spaçit i respektojmë vetem duke inkurajuar dhe mbështetur iniciativat per muzealizimin dhe mirembajtjen e tij afatgjate, si dhe inciativat per vizitat studimore me të rinj që Spaçi të mos harrohet”, përfundon deklarata.