Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE pritet që sot të japin vendimin për hapjen ose jo të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sot do të vendoset nëse dy vendeve do t’u jepet drita jeshile për hapjen e negociatave tani, apo do të shtyhet në një datë të dytë në vjeshtë, sikur është lakuar nga disa zyrtarë gjermanë gjatë vizitave në Shqipëri, pasi Holanda e konsideron hapjen e negociatave aktualisht si të parakohshëm.

Qershorin e kaluar vendimi u shty pikërisht për tani pas skepticizmit të tre vendeve, Holandës, Francës dhe Danimarkës. Pak javë më parë Komisionin Europian vendosi që të japë sërish rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave, pasi Shqipëria i ka plotësuar kushtet. Vendimi do të merret sot në Luksemburg gjatë samitit të Këshillit të Ministrave të BE-së që do të diskutojë mbi paketën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Ministri i Jashtëm shqiptar Gent Cakaj pret një përgjigje pozitive për të dy vendet. Ai përjashton kategorisht mundësinë e ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, duke theksuar se kjo e fundit ka përmbushur të gjitha kushtet.

Vendimi do të merret gjatë samitit që do të zhvillohet sot në Luksemburg. Para nisjes drejt Luksemburgut, shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini bëri thirrje për një vendim pozitiv për dy vendet, si vlerësim për reformat e ndërmarra.