Në seancën e sotme plenare, kuvendi zhvillon mocion debati për rezolutën kundër vendimit të presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të mbajë fjalën e tij në orën 12:00.

“Sot në 12.00 në Kuvendin e Shqipërisë, fjala ime në debatin e Rezolutës, Mbi aktin e presidentit të republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, shkruan Rama.

Ndërkohë që përpara nisjes së seancës, PS ka mbledhur grupin parlamentar në sallën e seancave plenare për të diskutuar rreth mocionit që do të mbahet në Kuvend dhe lidhur me argumentet që do të japin për të kundërshtuar dekretin e presidentit.

Debati i cili u kërkua nga socialistët për të hedhur poshtë vendimin e presidentit, do të zgjasë 5 orë, nga të cilat mazhoranca do të ketë në dispozicion 170 minuta ndërsa opozita bashkë me deputetët e pavarur 130 minuta.

Vetëm një orë pasi presidenti Ilir Meta firmosi dekretin për anulimin e zgjedhjeve PS vendosi në mbledhjen e kryesisë hartimin e një rezolute mbi aktin e presidentit Ilir Meta për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, ku u sollën argumente se përse ky vendim është antikushtetues.

( Kliko këtu ) për memon e plotë të PS / Dokumenti

Në kërkesën e mocionit firmosur nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, theksohet se akti i Presidentit është i pavlefshëm, i paprecedentë dhe në kundërshtim me Kushtetutën, pasi sipas tij synon te pengoje shqiptaret që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.