Një ditë më parë ambasadori i BE-së Lugi Soreca u takua me kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Genta Tafa, për të diskutuar procesin në vazhdim të vettingut në kontekstin e reformës në drejtësi. Për Gjykatën Kushtetuese janë dy kandidatë gjyqtarë; Regleta Panajoti, Anila Kristani , që duhet të kalojnë vettingun, ndërkohë që Ilir Mustafaj e kaloi.

Përpara se Këshillin i Emërimeve në Drejtësi (KED) të çojë listën në Kuvend dhe tek Presidentit, duhet të presë që edhe dy gjyqtarët e lartpërmendur të kalojnë vettingun. Numri i kandidatëve për Gjykatën e Kushtetuese është 19, tre nga të cilët garojnë edhe për Inspektorë të Lartë të Drejtësisë.

Aktualisht Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po verifikon secilin prej kandidatëve sipas të dhënave që dorëzohen nga institucionet. Por edhe në këtë pikë ka një dilemë përpara se të kryhet pikëzimi dhe renditja e tyre dhe për t’ia dorëzuar më pas organeve të emërtesës që do t’i votojnë. Përderisa në listë janë edhe emrat e dy gjyqtarëve Regleta Panajoti, Anila Kristani, ata janë në pritje të vetting-ut që do të thotë nuk dihet nëse për renditjen e tyre do të mbahet parasysh apo jo ky kriter.

E sigurt është se lista me kandidatura, pas renditjes, i kalon menjëherë Presidencës dhe Kuvendit , të cilët në vazhdim duhet të zgjedhin nga tre kandidatë, që në total janë 6. Megjithatë, problem i pazgjidhur do të ngelet gara për tre anëtarë që duhet të zgjidhen nga Gjykata e Lartë dhe që pasi renditen nga KED janë në kuotat për Gjyqtarë Kushtetues.

Edhe pse gara është hapur disa herë, ajo është mbyllur pa sukses. Më pas, gjithçka do të ndodhë dhe që lidhet me fatin e Gjykatës Kushtetuese do të kërkojë kohën e vet , që sipas ligjit matet me afate. Por për këdo që ka vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese me kërkesa që është e pamundur të shqyrtohen, do të thotë pritje dhe drejtësi e vonuar. Një analizë për këtë çështje ka bërë disa ditë më parë edhe gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.