Nga Sokol Balla

Kriza aktuale deri të martën, kishte një pikëpyetje të madhe: kush e nxiti atë? Kush shtyu Opozitën në aksionin e saj ekstrem politik të djegies së mandateve? Kush I dha idenë të braktisë zgjedhjet? Dhe me e rënda: kush po e fut atë në kurs total përplasjeje me Perëndimin? Dhe për cilat arsye?Teoria konspirative sot u vërtetua. Jo thjesht nga darka e Doktorit me Metën dhe pranimi që I ai I bëri asaj publikisht. Por nga argumentet që kreu I shtetit përdori të martën në daljen e tij të dytë publike në 24 orë, pasi kreu për herë të tretë në gjashtë muaj një tjetër akt të paprecedentë ndaj kushtetutës: shfuqizimin e zgjedhjeve. Basha tha sërish të martën në darkë të vetëve, se shfuqizimi i dekretit ishte fitore e Opozitës. Por në dritën e asaj që tha presidenti të hënën dhe të martën, më lehtë është të besosh se në Tokë ka alienë. Përse?

Të thuash që Basha detyroi Metën të ç’dekretonte zgjedhjet është një gjë qesharake. Që mund ta detyronte Monika do ishte më e besueshme, por të gjithë e njohim Metën. Meta nuk është reaktiv, por aktiv. Meta nuk është pasoja. Është shkaku. Meta e tha vetë. Ai paska bërë dekretin vetëm pak minuta para protestës dhe i kishte telefonuar Bashës për të qetësuar “uraganin” e opozitës. Por fjalori i tij i 24 orëve nuk lë dyshim se është ai Lideri i Vërtetë i kësaj lëvizjeje. Megjithëse njerëz pranë tij prej javësh tentojnë ta portretizojnë si të mërzitur për djegien e mandateve dhe absolutisht kundër tyre, këto dy ditë ai tregoi se është më shumë i mërzitur se në aksionin opozitar, ai është i vetmi institucion që e mbështet, brenda dhe jashtë vendit. Një aksion që në fakt nuk lindi në 16 shkurt, por që në janar, kur kreu i shtetit me një praktikë jo bindëse dhe të dyshimtë kushtetuese, u fut direkt në konflikt me kryeministrin për dekretet e dy ministrave, duke zgjuar opozitën e fjetur që dështoi të krijonte një uragan me të vetmin skandal të provuar të qeverisë, atë të Astirit.

Por tani së bashku me dekretin për anulimin e zgjedhjeve, ai krijoi për herë të parë precedentin e ri: që një kryetar shtet bashkon retorikën politike me aksionin institucional. Një gjë që nuk e bëri paraardhësi i tij, Nishani e nuk guxoi ta bënte as Berisha gjatë 7 viteve si president. Meta shpëtoi aksionin opozitar, pasi me dekretin, ai e çoi konfliktin nga politik, në juridik. Meta mori përsipër pasditen e të martës të thoshte publikisht atë që në korridoret e opozitës flitet nën zë: qëndrimin kundër ndërkombëtarëve e veçanërisht Uashingtonit, për mbajtjen apo jo të zgjedhjeve në 30 qershor. Edhe këtu Meta me një guxim shqiptari (ose të marri varet nga këndi i vështrimit) mori përsipër që këtë retorikë anti-amerikane ta bënte publike. Bile nën petkun e Presidentit të Republikës së shtetit të 52-të të pashpallur amerikan, shqiptarëve. Një retorikë e një presidenti shqiptar kundër Amerikës daton kohën e Enverit. Ndoshta i fundit që sulmonte amerikanët nga pozitat e kreut të shtetit, ishte Haxhi Lleshi. As Ramiz Alia nuk guxoi ta bënte si President në vitet 1991-1992. As Berisha nuk guxoi ta bënte këtë, por nxori Bashkim Gazideden të akuzonte amerikanët se po përziheshin në punët e shtetit dhe se ishin shkaktarët e 1997. Por duke njohur Metën, vështirë që të jetë Luli që ta ketë bindur edhe për këtë.

Sepse të martën pasdite, Ilir Meta bëri ofertën finale: të largohej pasi të zgjidhej kriza. Dhe ai e lexon krizën siç e thotë përmendësh Basha. Ai nuk iu përgjigj pyetjes së Thimi Samarxhiut se çfarë ai paska negociuar me Bashën që të tërhiqej, kur dihet se Basha ka vetëm një pikë që duhet të tërhiqet që palët të ulen në tryezë: fjalinë të ikë Edi Rama. Në fakt Meta s’mund të negociojë me Bashën një fjali që ai e ka vënë vetë në fjalorin e kreut të PD, si një kusht të pamundur në ekuacionin e krizës dhe që bën të pamundur çdo negociate Rama-Basha.

Sepse ai, më shumë se të gjithë, u mërzit kur Basha bëri marrëveshjen me Ramën në 2017-n, në kohën kur Rama ende ishte zyrtarisht aleat me LSI. Kur ai hante darkë me Bashën dhe i thoshte “nesër do vij në çadër”, por në fakt shkoi te Pazari I Ri dhe mbylli pazarin e vjetër për zgjedhjen e tij si president. Në kohën kur ai zgjidhej president nga Rilindja, por pastaj u fut në fushatë për të nxjerrë në opozitë ata që e zgjodhën në majën e shtetit. Ilir Meta është në krye të lëvizjes opozitare, pasi ai s’mund të lejojë Lulin të jetë negociator për çështjet e familjes së vet. Ndaj loboi për vendosjen e Nishanit në një post vendimmarrës në PD, si garanci për mosbërjen e pazareve të tjera Basha-Rama, duke tërhequr në këtë paranojë edhe Sali Berishën, që është edhe ashtu shumë paranojak për familjarët e tij.

Ndaj kur dëgjova se paska bindur Kryemadhin dhe Bashën të mos bëjnë protestë të dhunshme me 8 qershor, unë e besova Presidentin tim. Sepse më në fund në subkoshiencën e tij, ai na tha të gjithëve, se nuk e kishte bindur bashkëshorten dhe aleatin e saj më herët, jo se s’mundej, por se s’donte. Por tashmë gjërat kanë shkuar në një pikë kritike. Zgjedhjet po afronin dhe ndërkombëtarët mesa duket kishin arritur një sukses jo të vogël: të bindnin Bashën dhe Kryemadhin që t’u thoshin shefave të tyre politikë, Berisha dhe Meta, se dhunën “nuk e bënin më dot”, sa kohë që Uashingtoni do t’i quante ata fajtorë nominalë.

DEKRETI I METËS. ÇFARË ËSHTË PRESIDENTI PËR JU?
Duhet të japë dorëheqjen?
63 vota
Opozitar?
40 votat
Burrë shteti?
30 votat
Duhet të shkarkohet?
5 votat
Vota totale: 138June 8, 2019
“Spurdhjakër”, do ketë thënë Meta. “Tani do më shihni mua”. Ashtu siç thuhet u tha të dyve që në 16 shkurt. Se nëse dështonin ta hidhnin Ramën atë ditë, atëherë do të dilte vetë në krye të protestës. I fali e toleroi për pesë muaj. Por mesa duket pilafi nuk mbante më. Arsyet e vërteta i di vetëm Meta. Nuk e kuptova përse tha “nuk kam frikë”, kur i përmendën gazetarët ngritjen e SPAK (çuditërisht një ngritje që përkon edhe ajo me fundin e qershorit). Që është trim e dimë, por nuk thotë asnjëherë se përse nuk ka frikë. Që është trim e ka treguar gjithmonë në politikë dhe jashtë saj. Kur Gruevski iku si legen nga Maqedonia, Meta nuk e fshehu marazin për ish mikun e tij dhe tha fjalinë legjendare: “Burrat nuk ikin dhe nuk i frikësohen burgut”. Meta ka dhënë gjithmonë spektakël kur ekzistenca e tij politike është vënë në dyshim. Në 2001 kur iku nga kryeministër, por shkarkoi kryeprokurorin që po hetonte ministrat e tij. Në 2005, kur Nano desh ta zhdukte nga politika, por e nxori atë vetë. Në 2009 kur Rama tentoi të njëjtën gjë dhe për pak humbi dhe PS-në. Në 2017, kur kësaj tentative të Ramës, iu bashkua edhe Basha, por edhe ky përballë Ilirit, desh shkatërroi PD-në. Paradoksalisht sot i ka këta me vete dhe përballë në dukje ka vetëm Ramën. Por çfarë rrezikon atëherë Meta që është kaq aktiv, kaq agresiv dhe kaq i gatshëm të shkelë Kushtetutën? Ka vetëm një përgjigje dhe këtë na e tha sot ai vetë. Janë këta ngatërrestarët e huaj: OSBE, SHBA (dhe vonë, pasditen e të martës edhe vetë Jean Claude Juncker). Por Meta i ka dalë edhe atij përballë si Jean Claude Van Damme dhe është gati për përplasjen finale. Në të shkuarën të tilla beteja i ka fituar. Këtë të fundqershorit akoma. Dhe s’i referohem asaj të zgjedhjeve. Jo të gjitha gjërat zgjidhen me dekret. Dhe sa për luftë? Atë e fitojnë gjithmonë amerikanët.

Van Damme kundër tyre fiton vetëm në filma.