Skënder Gega në krah në konferencën për shtyp lojtarin e ri, Kristi Kote, një mesazh i qartë se te Partizani të gjithë janë të barabartë dhe çdokush do të ketë shansin e tij. Ai theksoi se çështja Trashi është arkivuar dhe se Partizani do të dijë të ringrihet pas humbjes me Skënderbeun.

Do të ndikojë psikologjiksht humbja me Skënderbeun?

Absolutisht jo. Humbën në fazën e parë në ndeshjen e parë në Korçë në minutën e 92-të dhe gjetëm forcat për të dalë në vend të parë. Gjithsesi jemi po aty, 1 pikë mbrapa. E dimë arsyen pse humbën. E kemi potencialin dhe forcën për t’u ringritur.

Si ka qenë sjellja e lojtarëve gjatë javës?

Pas kësaj humbjeje, asnjë nuk ka qenë i lumtur. Pas 7 fitoreve do të vinte një humbje. Nuk e kemi bërë dramë. Kemi përgjegjësitë tona, por do të vazhdojmë.

Pati një reagim ndryshe nga skuadra?

Është një humbje, perceptimet janë të ndryshme. Nuk e quaj dramë, personalisht. Me çunat kam folur dhe u kam thënë se duhet të ngrejmë kokën. Humbëm një ndeshje me kundërshtarin që 2 herë e goditi portën. E kemi bagazhin dhe forcën për të treguar potencialin.

Lojtari që del më ju në konferencë do të jetë pjesë e formacionit?

Të gjithë duhet të trajtohen njësoj dhe të ndihen njëlloj. Në të ardhmen mund të ndryshojmë edhe shiritin e kapitenit, që të gjithë të ndihen të rëndësishëm. Secili ka radhën e vet. Ardhja e Kotës është prezantim për të, është një shtytje. Çdo pjesëtar do ta ketë mundësinë, megjithatë edhe këtu ka radhë. Mbase dikujt do t’i dalë 2 herë radha.

Mensah dhe Hebaj nuk po shënojnë…

Jam përpjekur që mos të jem unë ai që ndaj golat. Secili të ketë mundësinë për të shënuar. Kemi parë videon e fundit dhe të gjithë kishin shans për të goditur portën. Është edhe mosha edhe eksperienca dhe ne mundohemi t’i riparojmë, por nuk kemi bërë punë specifike. Mensah ka shënuar. Asnjë nuk mund të shënojë pa ndihmën e ekipit. Jemi ekipi i 2-të ose barabartë për golat e shënuar me Skënderbeut, por jemi në vend të 2-të.

U mbyll çështja “Trashi”? Do të jetë titullar?

E thashë edhe përpara ndeshjes, Trashi nuk është larguar, por mori një masë disiplinore. Ka mënyrat e tij klubi. Unë e kam konsideruar si krahu i djathtë, sepse është lider. Për mua është mbyllur çdo gjë.

Ku bazohet meritokracia te Partizani?

Kemi edhe ndeshjet e Kupës dhe secili do ta ketë mundësinë disa herë. Secili që ka shansin duhet ta justifikojë atë. Jam këtu për një objektiv më të madh. Deri tani jam jashtëzakonisht i kënaqur.

Rikthehet Trashi por mungon Hila…

Kemi 25 lojtarë dhe deri ditën e ndeshjes do ta mendojmë jashtëzakonisht mirë. Do të mundohemi t’i modifikojmë. Ardhja e Trashit është e rëndësishme. Në asnjë moment ai nuk ka pasur probleme me mua, kanë qenë sajesa. Do të bëj të mundur t’i marr maksimumin.

Do të vijë kthesa ndaj Kamzës?

Është momenti për të reaguar. Ne kemi punuar këto ditë. Do të mundohemi ta ngarkojmë në atë mënyrë që të fitojmë.

Sa e vështirë është një ndeshje pa tifozë?

Jam munduar t’i ndjek lajmet dhe patjetër jam pjesë e klubit. Unë ndihem keq, sepse janë dënuar të gjithë sportdashësit e Partizanit. E shoh të paarsyeshme të dënohen të gjithë. Është humbje e madhe për ne. Te Partizani ndihet kjo. Nuk mund të ndërhyj, por mund të them se institucionet tona janë inferiore karshi fqinjëve tanë. Ju e shikoni çfarë ndodh në stadiumet e Ballkanit, digjet flamuri ynë dhe nuk dënohet asnjë fushë.

Pas ndeshjes me Skënderbeun Hoxha tha se duhet një sulmues…

Fola edhe me Albanin, është kapiteni dhe i takon të ketë perceptimin e vet. Nuk i takon asnjë futbollisti që të gjejë pikën tonë të dobët. Ai e ka parë në prizmin e vet. Patjetër që kemi nevojë, në të gjitha pikat. Nëse dikush vjen dhe bën diferencën, do të na rrisë.