Eloida Goxhi, drejtuese e Prokurorisë së Beratit do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit për Goxhin përbëhet nga Xhensila Pine, Brunilda Bekteshi dhe Suela Zhegu.

Eloida Goxhi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe e ka nisur detyrën fillimisht në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2011 ajo u emërua në Prokurorinë e Beratit, ku vazhdon ta kryejë detyrën tashmë si drejtuese e institucionit.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Eloida Goxhi nga viti 2010 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga Eloida Goxhi, drejtuese e Prokurorisë Berat për vitet 2010-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se prokurorja Goxhi nuk kishte asnjë pasuri në vitin 2010, kur kreu deklarimin e parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Në fund të vitit 2017, pasuria e saj është 2.3 milionë lekë dhe përbëhet vetëm nga likujditetet bankare.

Të ardhurat për periudhën deklaruese janë në vlerën e 7 milionë lekëve. Rreth 98 për qind e tyre kanë si burim pagën nga funksioni, ndërsa 1.8 për qind janë të ardhura nga interesat bankare.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 8 vite të deklarimit dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.