Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, e ka cilësuar si përdhosje ndaj dinjitetit njerëzor, i cili meriton dënim maksimal, rastin e abuzimit të gjyqtarit dhe psikologes të Fierit. Pas arrestimit të tyre, Kuko ka shkruar në rrjetin social “Tëitter”: “ Jo vetëm shpërdorim detyre, jo vetëm papërgjegjshmëri etike; sjellja e gjyqtarit të Fierit dhe palo-psikologes janë përdhosje ndaj dinjitetit njerëzor. Përdhosje ndaj parimit universal human të mbrojtjes së më të dobtëve, i cili meriton dënim maksimal”.

Më tej ajo shkruan se rasti i Fierit dhe shumë raste të tjera abuzimesh të togave të zeza, tregojnë edhe një herë se Reforma në Drejtësi është ngjarja më e mirë që po ndodh në Shqipëri.

“Një nënë e cila përplaset dyerve të gjykatave për kujdestarinë e fëmijës duhet të kalojë Golgothanë për shkak të përbindëshave që e kanë në dorë. Dhe sa gra nëna vuajnë pa e ditur ne? Ja pse Reforma në Drejtësi është ngjarja më e mirë që po ndodh në Shqipëri. Një psikologe kujdestarie, parimi i punës të së cilës duhet të jetë INTERESI MË I LARTË I FËMIJËS, që bën pazar me të ardhmen e një fëmije është forma më e përbindshme e korrupsionit, profesional, etik, shpirtëror. Vetingu i tyre, urgjencë!”, përfundon ajo.

Një ditë më parë Drejtoria Hetimore Qendrore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Tiranë ndaluan gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi, si dhe psikologen Elona Meçani, për të cilët Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjishëm të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Arrestimi i tyre u krye pas denoncimit të një nëne në një emision investigativ, e cila u përballë me kërkesën e gjyqtarit për rryshfet dhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale, në këmbim të dhënies së kujdestarisë së fëmijës së saj