Shkelja më e madhe kushtetuese e Ilir Metës nuk është se nuk ka lejuar emërimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm.

Një gjë të tillë ai e bëri edhe me Sandër Lleshajn.

Ajo që është më e rëndë në këtë rast, është fakti se Ilir Meta nuk pranon të dekretojë shkarkimin e Ditmir Bushatit si ministër i Jashtëm, pa dhënë asnjë argument.

Dhe nuk ka se çfarë argumenti të japë në fakt, pasi emërimet dhe shkarkimet e ministrave janë kompetencë e kryeministrit, dhe Ilir Meta thjesht duhet t’i firmosë.

Sidomos për shkarkimet, nuk ka asnjë arsye që të “mendohet”, se hajt për miratimin e ministrave duhet të shohë a plotësojnë kriteret e duhura kandidatët për ministër.

Me mos-shkarkimin e ditmir Bushatit, Ilir Meta në fakt është duke bërë politikë, pasi kërkon të fusë vendin në një krizë kushtetuese.

Kjo, duke qenë se tani Rama nuk propozon dot kandidat tjetër, pas rrëzimit të kandidaturës së Gent Cakajt.

Procedura normale sugjeron që rrëzimi i një kandidati për ministër (në këtë rast Gent Cakaj), t’i hapë rrugën një emri tjetër për postin e kryediplomatit. Gjë e cila nuk mund të ndodhë ndërkohë që nuk është shkarkuar ministri paraardhës.

Ky është skandal mbi skandal i Ilir Metës, që në një vend normal nuk mund të ndodhë.

Është edhe më i madh se skandali për mos-dekretimin e Gent Cakajt, për të cilin, argumentet e mos-dekretimit ja rrëzoi vetë këshilltari i tij, Arben Cici.

Meta argumentoi se Cakaj nuk ishte pajisur me certifikatën e nevojshme që ta lejojë atë të lexonte dokumente sekrete të qeverisë pavarësisht se ka shtatë muaj në postin e zëvendësministrit të punëve të jashtme. Sipas Metës, Cakaj e kishte detyrë ligjore të pajisej me një certifikatë të tillë pas marrjes së detyrës së zëvendësministrit.

“Presidenti i Republikës i ka propozuar kryeministrit që, meqë z. Cakaj pretendohet që është kaq i ditur…, ju mund ta vendosni ministër të Kulturës apo çdo lloj ministri tjetër”, ka thënë Cici, duke rrëzuar kështu argumentin e Metës, se Cakaj nuk kishte certifikatë sigurie.

Se ato argumentet e tjera, jo s’ka përvojë, jo ka folur për ndarjen e Kosovës etj, ishin komplet qesharake dhe pa asnjë argument ligjor.(TemA)