“Sjellja e opozitës që është në funksion të polarizimit politik, nuk i kontribuon procesit dinamik të reformave në shërbim të rrugëtimit europian. Procesi i integrimit europian është një interes kombëtar dhe jo një interes partiak, ndaj kërkon sjelljen e përgjegjshme nga secili aktor politik”.

Kështu iu përgjigj nga studioja e ERTV-së, pyetjes nëse vendimet e fundit të opozitës shqiptare mund të influencojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt çeljes së negociatave me Bashkimin Europian, Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e jashtme, Gent Cakaj.

Por sipas tij, asnjë sjellje polarizuese dhe asnjë qasje anti-institucionale nuk mund të vënë në pikëpyetje progresin e Shqipërisë dhe përmbushjen e kushteve të paraqitura në konkluzionet e këshillit të europës, pasi ato dokumentohen nga instucionet më të larta të BE-së.

“Ajo që është realitet faktik i dokumentuar nga komisioni europian nuk mund të zhbëhet nga perceptimi momental i politikës ditore. Sfida është vazhdimi i axhendës progresive të reformave duke filluar nga kompletimi i gjykatës kushtetuese dhe kalimi i reformës elektorale, që në fakt përmbyll edhe trajketoren e kushteve për hapjen e negociatave. Axhenda progresive do të mbizotërojë mbi çdo qasje që nuk është në funksion të axhendës europiane”, shtoi Ministri në Detyrë.

Shqipëria- tha Cakaj- ka nevojë për zhvillimin e dy dialogjeve politike. Dialogun e unifikuar me vendet anëtare të BE që mund të kenë rezerva për zgjerimin e BE dhe dialogun e brendshëm për të ruajtur unitetin dhe komunikuar mesazhin e duhur, për reformat institucionale në Shqipëri.