Kryetarja e PS për Tiranën dhe njëherësh deputetja socialiste Blerina Gjylameti ka reaguar në lidhje me deklarimet e bëra nga Berisha dhe Petriot Vasili lidhur me situatën e krijuar në zonën e “Misto Mame-s” si rrjedhojë e shirave me intensitet të lartë. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Blerina Gjylameti i kujton atyre edhe një kallëzim penal ndaj atyre që bllokuan investimin për kanalizimet në zonën e Kombinatit dhe shkaktuan një dëm ekonomik rreth 21 milion euro në Mars të vitit 2018 nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës.

“Ta mbulosh diellin me shoshë me një pafytyrësi të hapur nga kazani “digjital” dhe Vasili, është hipokrizia më e madhe që mund t’u thuash qytetarëve të Tiranës dhe veçanërisht banorëve të “Misto Mame” në zonën e Kombinatit. Përse nuk flasin zyrtarët e tepsisë për vjedhjen e fondeve të projektit japonez që e shesin duke dizinformuar publikun?! Ka një kallëzim për ndjekje penale ndaj atyre që bllokuan investimin për kanalizimet në zonën e Kombinatit dhe shkaktuan një dëm ekonomik rreth 21 milion euro në Mars të vitit 2018 nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës. Pse nuk flasin?”, thotë Gjylameti.

Deputetja socialiste shprehet se ata që harruan Kombinatin për vite me radhë, nga koha e të vrarëve në bulevard, nga koha e gjumit dhe tepsisë, nuk shkelin dot mbi punën 4 vjeçare të socialistëve në zonë që i ka dhënë dhe do t’i japë sërish përgjigjen në zgjedhjet e 30 Qershorit.
“Ne, shërbimin ndaj njerëzve të zakonshëm nuk na e ndali balta e atyre që alternativë kanë vetëm dhunën, po iu shtruam punës duke qenë pranë tyre. Investojmë në çdo cep të Kombinatit, në blloqe banimi, në gjithë rrjetin elektrik me nënstacionin 20 kë, në shkolla të reja si “Betim Muço”, rikostruksionin e shkollave ekzistuese , kopshteve, çerdheve, parqeve , qendrave shëndetësore, rrugë, ndriçim e kanalizime.

Të bindur që duhet të vazhdojmë me investimet në infrastrukturë në çdo lagje, rrugë e rrugicë, sepse qytetarët e Kombinatit meritojnë shumë më tepër”, shkruan deputetja Gjylameti duke shtuar se alternativa e dhunës që prish e shkatërron në mes të ditës shtyllat në qendër, nuk flet dot përballë punës dhe vëmendjes që i është kushtuar këto kohë ndaj qytetarëve të Tiranës nga qendra në periferi.