Nga Mero Baze/

Të gjithë po vrapojnë të flasin për pasojat që mund të prodhojë mos-zbatimi i aktit juridik të Ilir Metës nga KQZ dhe shumica në pushtet. Në të vërtetë, më e rëndësishme është të kuptosh, se çfarë pasojash do të kemi nëse e zbatojmë aktin e Ilir Metës.

E para, në Shqipëri do të instalohet precedenti, që çdokush nga forcat e mëdha politike, normalisht opozitare, mund të thotë një ditë që nuk duan të hyjnë në zgjedhje dhe presidenti përkatës duhet të anulojë datën e zgjedhjeve dhe ta lërë vendin në pritje të reflektimit të atyre që nuk duan zgjedhje.

E dyta, nëse ne pranojmë që kur një president ç’dekreton datën e zgjedhjeve (kjo është një kompetencë që nuk ekziston në asnjë Kushtetutë të botës) të zgjedhurit aktualë që presin të zëvendësohen, mund të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet, atëhere ne mund të gjendemi përballë faktit që një parti në pushtet, konkretisht Edi Rama, refuzon të hyjë në zgjedhjet e vitit 2021, se nuk i pëlqen, dhe presidenti duhet të ç’dekretojë datën e zgjedhjeve, dhe Edi Rama mund të rrijë pafundësisht kryeministër, derisa t’i mbushet mendja që mund të hyjë në zgjedhje.

E treta, nëse kërcënimi me luftë, ose konflikt civil, siç tha presidenti, është arsye që demokracia duhet t’i hapë rrugë paligjshmërisë, atëhere ne do të instalojmë precedentin që në demokraci gjërat fitohen me luftë dhe jo me ligj. Dhe ky është fundi i një sistemi normal demokratik.

E katërta, nëse ne pranojmë që presidenti të nxjerrë akte juridike administrative, për të cilat nuk ka kompetencë, siç është anulimi i zgjedhjeve, mund të gjendemi përballë një realiteti të ri, ku presidenti mund të fillojë të bëjë emërime, të shkrijë institucione, apo të shpikë institucione të reja, duke i argumentuar politikisht siç bëri sot për anulimin e supozuar të zgjedhjeve.

Mos u çudisni kur ai të thërrasë në takime drejtorin e Doganave, atë të Policisë, apo të Kufirit, dhe t’i shkarkojë se nuk i pëlqejnë.

E pesta, nëse KQZ nuk do ta konsideronte të pavlefshëm aktin juridik të presidentit, që ai e quan “Dekret”, atëherë sipas nenit 111 të Kodit të Procedurës Administrative, këta zyrtarë mund të penalizohen, pasi kanë detyrim të konstatojnë pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ, kur ai është “Nul” dhe i pazbatueshëm. Pra, KQZ penalizohet nëse hesht për aktin e Ilir Metës dhe jo nëse e hedh poshtë, ashtu siç bëri.

E gjashta, në kushtet kur presidenti bën një shkelje të rëndë të Kushtetutës, me vetëdije dhe për përfitime politike personale dhe familjare, mos shkarkimi i tij penalizon çdo deputet të Parlamentit, pasi bëhet bashkëfajtor në një shkelje Kushtetute të njohur botërisht.

Në këtë aspekt, mocioni për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, është detyrim i çdo deputeti të Parlamentit, që vendos të mbrojë kushtetutshmërinë e vendit.

E shtata, po keqpërdoret me qëllim dhe cinizëm, mungesa e përkohëshme e Gjykatës Kushtetuese.

Në të gjithë deklaratat e tij, Ilir Meta e ka shprehur me cinizëm, se mungesa e Gjykatës Kushtetuese, është një përgjegjësi e shumicës (çka nuk është e vërtetë) dhe për këtë shkak, ai ka lënë të kuptojë se mund të bëjë çfarë të dojë dhe atë nuk e shkarkojnë dot.

Kjo ka ndodhur dhe në rastin e mos dekretimit të ministrave apo mos hapjes së garës për një institucion të reformës në drejtësi.

Por nëse dhe shumica do të vepronte me këtë llogjikë, pra do të bënte dhe ajo akte të papërgjegjshme, meqë mungon përkohësisht Gjykata Kushtetuese, atëhere ku do ankohej Ilir Meta sikur ta nxirnin nga zyra me police, dhe ai të mos kishte kohë të vriste veten si Allende?

Ka dhe shumë efekte të tjera të nivelit të dytë që shkatërrojnë deri në kapilarë sistemin demokratik, nëse pranojmë që një president, me qëllime të dukshme politike, u heq të drejtën 2 milionë votuesve, në pritje të një pazari të favorshëm për të.

Por do të mjaftonin dhe këto, që nëse i hapet rrugë Ilir Metës, vendi të mos e marrë veten kurrë dhe të hyjmë në spiralen e një anarkie shtetërore, nga e cila as lufta nuk na nxjerr dot më.

Ndaj është më mirë të bëjmë betejë ligjore sot me një president që kërkon të çojë vendin në luftë, se sa të pastrojmë nesër Shqipërinë nga gërmadhat e një lufte për pushtet, që nuk do të mbarojë kurrë, nëse ne pranojmë këtë marrëzi të Ilir Metës.