Nga kjo e mërkurë, sigurinë në aeroport do ta marrrë përsëipër komisariati i policisë së Rinasit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu në një konferencë për shtyp nga Rinasi u shpreh:

“Mbi bazën e kryeministrit por edhe ministrit të Brendshëm dhe me urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë sot shefi i komisariatit të policisë së Rinasit krahas detyrave funksionale që do të ketë për kontrollin e menaxhimit të kufirit, merr edhe përgjegjësinë e drejtimit, menaxhimit, kontrollit dhe bashkëpunimit me kompaninë e sigurisë në aeroport për të bërë të mundur kthimin e sigurisë në ato parametra që kërkojnë qytetarët por edhe standardi i Aviacionit Civil”.

Kreu i Policisë së Shtetit tha se grabitja e 10 milion eurove në aeroport është një ngjarje tepër e rëndë, sikundër dhe nënvizoi se policia nuk ka gjetur bashkëpunimin e koncesionarit për sigurinë:

“Është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë dhe ne si polici shteti jemi duke e analizuar. Grupi hetimor është duke punuar intensivisht.

Policia është duke punuar 24 orë dhe do të bëjë të mundur zbardhjen e kësaj ngjarje. Jemi duke punuar dhe për rritjen e parametrave të sigurisë, e cila pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga policia e shtetit për tu kthyer në nivelin e duhur brenda standardeve të BE dhe aeroporte të tjera, në momente të caktuara nuk kemi gjetur bashkëpunimin e duhur nga kompania që është përgjegjëse për sigurinë e aeroportit ” Nënë Tereza”.