Shqipëria sot është një vend plotësisht i sigurt për të bërë turizëm, ndërkohë që për të garantuar këtë ka një angazhim të shtuar të Policisë së Shtetit. Kështu deklaroi në një intervistë për ERTV nga bregdeti i Durrësit, Zëvendës Ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila foli për planin e masave të marra nga ana e Policisë së Shtetit.

Sipas saj, ndërsa në vitin 2018, gjatë sezonit turistik u angazhuan 1300 efektivë policie në bregdet, këtë vit numri i efektivëve është rritur në 1511. Ky numër sipas Vodës, u rrit sepse Shqipëria po bëhet një destinacion turistik i shumë dëshiruar dhe numri i të huajve që vijnë është në rritje.

Zëvendësministrja shtoi se është shtuar numri i patrullimit të policisë në zonat ku ka dyndje të turistëve, që lëvizin me biçikleta gjatë vijës bregdetare, për të monitoruar nga afër bregdetin dhe shmangur incidentet. Një punë e mirë është bërë sipas saj me vendosjen e kullave të vrojtimit duke lënë udhëzimet për vendosjen e personave të trajnuar në to. Voda theksoi se janë ngritur tashmë stacionet policore provizore jo vetëm në bregdet por edhe në zonat turistike malore si Valbona apo Thethi.

Për të garantuar sigurinë në ujë, në det janë vendosur bovat, apo shenjat, që tregojnë se deri ku është e sigurt që notuesit të lahen dhe ky është një kriter që duhet zbatuar në të gjithë vijën bregdetare. Gjithashtu, në këtë sezon turistik ku edhe fluksi i personave që hyjnë ne vend është i lartë, mbi 907 punonjës të policisë kufitare janë në gadishmëri, kryesisht në aeroportin e Rinasit dhe pikat e tjera kufitare, të cilët mirëpresin turistët e huaj.