Një taksi fluturuese që mund të porositet përmes një aplikacioni? Një kompani gjermane planifikon ta kthejë këtë fantashkencë në realitet brenda gjashtë viteve të ardhshme.

Startup-i me bazë në Mynih, ‘Lilium’ zbuloi të enjten prototipin e vet të taksisë fluturuese 5-vendëshe. Automjeti ‘Lilium Jet’ zhvilloi fluturimin e tij të parë në fillim të këtij muaji dhe është pjesë e një shërbimi taksi të cilin mund ta porosisësh nëpërmjet një aplikacioni. Kompania pret të jetë plotësisht funksionale në qytete të ndryshme anembanë botës në vitin 2025.

Taksia me bateri është e aftë të udhëtojë 300 kilometra në 60 minuta me një karikim të vetëm. Udhëtarët do të jenë në gjendje të rezervojnë transportin me këtë mjet nga vendndodhja e tyre përmes një aplikacioni online.

‘Lilium’ nuk ka zbuluar se sa do të kushtojë shërbimi i saj, por pohon se do të jetë i krahasueshëm në çmim me taksitë e rregullta. Remo Gerber, një zyrtar i kompanisë, tha për ‘CNN Business’ se kompania ka për target-grup njerëzit e zakonshëm dhe jo njerëzit e paguar shumë mirë.

Për ta bërë këtë ëndërr një realitet, kompania gjermane do të përballet kundër disa prej emrave më të mëdhenj në biznes. ‘UBER’, po bashkëpunon me ‘NASA-n’ me qëllim lançimin e një rrjeti me taksi fluturuese brenda vitit 2023. Emra të tjerë të mëdhenj që po punojnë për krijimin e makinave fluturuese përfshijnë ‘Boeing’ dhe ‘Rolls Royce’.

‘Lilium’, i themeluar në vitin 2015, thotë se taksia që po krijon ka mundësinë për të udhëtuar shumë më gjatë sesa konkurrentët e saj. Kompania ka si investitorë korporata të njohura, të cilët kanë investuar së bashku mbi 100 milionë dollarë dhe që përfshijnë ‘Atomico’ dhe gjigantin teknologjik kinez ‘Tencent’ (TCEHY).