Ne jetojmë në një epokë në të cilën tashmë veprat heroike janë vetëm kujtime të largëta nostalgjike të një kohe të shkuar. Flasim për figura heroike dhe për njerëz të shquara të historisë tonë si qenie, duke gjetur në ta një arketip frymëzues. Por duket se sot ky lloj arketipi është zhdukur dhe nuk para haset në shoqërinë moderne njerëzore, sepse nuk ka as gjigandë, as hidra dhe as krijesa mitologjike apo bëma mbi të cilat heroi duhet të triumfojë.

Pikërisht kjo mungesë sfidash apo luftërash duket fenomenikisht sikur e ka shuar “racën” e heronjve dhe ata mund t’i gjejmë tashmë vetëm në gojëdhëna dhe libra. Në gjithë këtë strumbullar mund të japim shumë arsye për këtë mungesë, qysh nga mungesa e edukimit me mite e deri tek ndryshimet teknologjike e sociale në shoqërinë njerëzore, por ajo çka është realisht arsyeja kryesore dhe qenësore e le të themi “krizës për heronj” është fakti se ka ndryshuar dimensioni ku zhvillohet, jo vetë arketipi i heroit në secilin prej nesh.

Kjo është teza që hedh filozofja argjentinase Delia Steinberg Guzman në librit e saj “Hero i Përditshmërisë”, një vepër e botuar tashmë në shqip nga Botime Akropoli i Ri. Guzman na paraqet një tjetër dimension të këtij arketipi heroi, duke e vendosur atë në përditshmërinë njerëzore. Shpeshherë kujtojmë me nostalgji veprat e mëdha të heronjve të së shkuarës, por kur i krahasojmë ato me tonat ngelemi të zhgënjyer. Sipas autores, pikërisht ky është gabimi që bëjmë në këndvështrimin e kësaj çështje, pasi ne pretendojmë të kryejmë bëma shumë të mëdha që nuk i përshtaten fuqive tona. Kur rrjedhimisht e kuptojmë që kjo është vetëm një fantazi e jona, zhytemi në mos veprim dhe në pragmatizëm, duke e vrarë edhe atë pak idealizëm që kishte lindur brenda nesh. Guzman na thotë se në këtë moment krize duhet të ndërgjegjësohemi për atë që ne mund të bëjmë brenda kufijve të mundësive tona, as duke pretenduar se mund të jemi një hero mitik, por as edhe një individ inaktiv që i dorëzohet fatit të tij.

Kështu Guzman na prezanton figurën e heroit të përditshmërisë, një individ për të cilin terreni i luftës së tij është përditshmëria, duke u munduar ta tejkalojë atë. Janë shpesh veprimet dhe aktet e vogla gjatë kësaj përditshmërie që na dallojnë se kush jemi si njerëz. Libri i autores fokusohet në këtë raport që njeriu i sotëm ka me përditshmërinë e tij, pasi ndryshe nga lashtësia dhe e shkuara, individi i ditëve të sotme nuk duhet të luftojë më përbindësha mitikë të jashtëm, por të brendshëm, pasi këto krijesa tashmë ndodhen në mendjen dhe psikikën e tij, në trajtën e problematikave të përditshme. Është pikërisht ky dimensioni ky njeriu i sotëm duhet në luftojë, në mënyrë që të tejkalojë sadopak veten dhe rutinën e përditshmërisë së tij me bëma të vogla dhe të matshme, të cilat ndikojnë si tek ai vetë, por edhe tek njerëzit që e rrethojnë. Ky hero i përditshmërisë, na thotë autorja, është një hero i cili i sheh problemet dhe sfidat si një mënyrë rritjeje, duke e shndërruar secilën prej vështirësive që has në rrugën e tij në një shkallare të sigurt për tu ngjitur edhe një hap më shumë drejt vetes së tij ideale. Libri i Guzman na vjen si një hartë udhëzuese e cila na ndihmon në tejkalimin e shumë pengesave dhe ngërçeve që na shfaq bota jonë psikike, në mënyrë që ajo gjendja mitike e heronjve të së shkuarës të mos jetë vetëm një nostalgji, por një gjendje reale vetëdijeje brenda nesh, e cila mundohet ta ndryshojë dhe përmirësojë sadopak veten e shoqërinë ditë për ditë.