“Shqiptarët për shqiptarët” udhëtoi në shtatzënë. Këtu jeton familja Gjini. 14 vite më parë familja me 4 pjesëtare zbriti nga fshati Kashnjet e Lezhës. Ata u vendosën në ketë vend për një jetë më të mirë. Por sot nëna e tre fëmijëve është duke përjetuar një dramë të rëndë. Dilore Gjini mbeti e ve në moshën 26 vjeçare. Burrin ja vranë në derën e shtëpisë. Dilorja e kujton atë moment tragjik që i ndryshoi jetën. “Unë isha brenda banesës, po gatuaja. U afrua duke bërtitur, po shante, ishte i pirë, erdhi më një tjetër. Erdhi e vuri pistoletën në qafë. U tremba se isha shtatzënë. Isha mbas shpinës së tij, ai ra. Isha atje kur e vrau. Mu këputën gjunjët, bërtita më të madhe. Burri mu vra para syve”, -thotë Dilorja.

Vajza Majlinda erdhi në jetë disa muaj pasi i ati ndërroi jetë. Dilorja ka kaluar një jete tepër të vështirë. “nuk mu ndanë hallet asnjëherë. Nuk dija si do ti mbaja me buke fëmijët. Kisha ndihmë ekonomike 3 mijë lekë. Kam punuar tek një komshi me lopatë tokën, vetëm që ti mbaja fëmijët me bukë. Kam rritur tre fëmijë jetimë. Vetëm shpirti im e di si kam vuajtur”, -thotë ajo. Dilorja është një burrneshë, siç i ka hije grave të malësisë, dhimbja nuk e ka mposhtur kurrë!. Ajo qëndron e fortë, e pamposhtur. Kur kujton bashkëshortin e saj sytë i qeshin. Edhe pse kanë kaluar 18 vite nga vdekja e burrit, kujtimet i ruan thellë në zemër “vetëm të mira kam pas prej tij. Më thoshte, ti je shumë e vlefshme, ti je zemra ime, ishte bashkëshort i mirë. Në zemër do të ruajë gjithë jetën 7 vitet e lumtura të martesës, ashtu si edhe premtimin e dhënë. Dilore Gjini ja ka kushtuar jetën tre fëmijëve të saj. Sakrificat dhe vuajtjet nuk e kanë kursyer. Por ajo i ka bërë vetes një betim, që nuk do ta shkeli kurrë. “Vetëm, 7 vite jetova me burrin, u betova të mos martohem më, doja te isha besnike ndaj tij”, -thotë ajo. Vajza e Dilores quhet Majlinda. I ati i saj u vra vetëm disa muaj para se ajo të lindte. Kur ishte e vogël, mamaja i kishte thënë se jeton jashtë shtetit “prisja me padurime ta takoja” thotë vajza. Të vërteten e hidhur ajo e mëson në shkollë.

“Isha 10 vjeç isha në shkollë, mësueset kërkuan babin, u mërzita shumë që nuk erdhi, mami me tha që nuk e ke babin, u mërzita shumë”. Edhe pse nuk e kishte takuar kurrë, e vërteta e tronditi shumë 10-vjeçaren.

“Më mungonte shumë babi isha shumë e vetmuar”, -thotë Majlinda me zë të mekur. Por forca për të ecur përpara gjendet tek familja e bashkuar. Majlinda ruan emrin dhe ngjashmërinë nga babai. “Ndihem e lumtur pasi kam emrin që më ka vënë babi”, tha ajo.

Dëshira e kësaj vajze është “ta përqafoja dhe të kisha një fotografi bashkë me të”. \BalkanWeb