ARKIVA / Letër e KQ të PPSH mbi faqen e shkeljes së ligjeve nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Lufta për të pastruar strukturat nga ndikimi i Koçi Xoxes. Platforma e Sigurimit të Shtetit. Rastet e rralla kur një anëtar i thjeshtë të Partisë mund të bëhej bashkëpunëtor i MB. Orientimet e reja se si duhet punëtorët operativë të rekrutonin dhe punonin me spiunët e rinj

Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe

Organi që shkelte më së shumti dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtat e njeriut në Shqipëri, ishte Ministria e Punëve të Brendshme dhe levat e saj kryesore, ndër të cilat Sigurimi i Shtetit cilësohej si parësore. Jo vetëm arrestime të padrejta dhe të pambështetura në ligj, por dhe keqtrajtime të qytetarëve të lirë e dhunim të të arestuarve. Kjo ka qenë një pjesë e ekspozesë së punës së Ministrisë së Brendshme në vitet kur në Shqipëri “lulëzonte” ndërtimi socialist i vendit. Në vitet 1946-1947 Ministria e Brendshme kishte kaluar një periudhë të vështirë. Ministri i fuqishëm i asaj kohe Koçi Xoxe, kishte arritur të dominonte jo vetëm të gjitha strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit, por kërcënonte dukshëm dhe pushtetin e Enver Hoxhës. Pas rrëzimit të Xoxes në krye të Ministrisë së Brendshme erdhi Mehmet Shehu, i cili në vitin 1954 do të merrte dhe frenat e pushtetit ekzekutiv, për t’u bërë Kryeministri më jetëgjatë në Shqipëri me 27 vitet e drejtimit me dorë të hekurt.

Në një letër “Tepër sekret” e firmosur në fund të saj nga Ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Mehmet Shehu, me numër protokolli 01-18 u niset të gjithë degëve të Punëve të Brendshme të rretheve; gjithë degëve operative të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë Popullore; si dhe për njoftim Komitetit Qendror të PPSH-së dhe me autorizim të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH, – gjithë Komiteteve të Partisë në Rrethe; Ministrisë së Drejtësisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Propaganda

Fillimisht, ministri i Punëve të Brendshme Gjeneral-Leitnant Mehmet Shehu ka bërë një hyrje retorike, ku thotë: “Partia dhe Qeveria kanë treguar kurdoherë kujdes të veçantë për forcimin e organeve të punëve të brendshme. Kondita kryesore për suksesin e organeve të punëve të brendshme në luftën e tyre kundër armiqve të popullit, është sigurimi i plotë mbi këto organe nga ana e partisë. Ato janë siç ka thënë dhe udhëheqësi ynë shoku Enver Hoxha “syri dhe veshi i Partisë”, janë rroje besnike e interesave të popullit kundër çdo lloj armiku të brendshëm ose të jashtëm”

Pranimi i gabimeve

Megjithëse njihej si natyrë jo tolerante, Mehmet Shehu në këtë material tepër sekret të nisur vetëm për drejtuesit e institucioneve më të larta të vendit pranonin dhe gabimet që janë bërë nga Sigurimi i Shtetit, por që gjithsesi këto ia faturon punës “armiqësore” të paraardhësit të vet. “Organet e Sigurimit të Shtetit dhe të gjitha organet e tjera të Ministrisë së Brendshme kanë korrur mjaft suksese të rëndësishme në punën dhe luftën e tyre të përditshme kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm. Por megjithatë, konstatojmë se organet operative të Ministrisë së Brendshme, si në qendër ashtu dhe në rrethe, gjatë punës së tyre, bëjnë gabime të rënda duke shkelur në shumë raste ligjet e shtetit, platformën e Sigurimit të Shtetit dhe urdhrat e udhëzimet e lëshuara nga Ministri. Këto shkelje të vijës së Partisë, të ligjeve shtetërore dhe të urdhrave superiore janë shfaqur sidomos në këto drejtime:”

Pika e parë

a.-Në drejtim të hetuesisë: Hetuesia, si për anën e sigurimit ashtu dhe për nën e policisë, nuk është zhvilluar kurdoherë në bazë të instruksionit që kemi lëshuar mbi hetuesinë. Ka patur mjaft raste shtrembërimi në metodën e hetuesisë dhe mjaft raste arbitrariteti e veprimesh të paligjshme, siç janë: goditja e të burgosurit, zhvillimi i hetuesisë duke mbajtur lidhur të akuzuarin, shtrënguarja e hekurave jashtë mase mbi duart e të burgosurit, prerja e përkohshme e bukës ose e gjellës, ndalimi i përkohshëm i rrobave për shtresë e mbulesë, mbajtja në këmbë për një kohë të gjatë në hetuesi, etj..

Pika e dytë

b.-Në drejtim të procedurës së arrestimeve: Ka pasur raste kur organet e Ministrisë së Brendshme nuk respektojnë të drejtat legjitime të qytetarëve, duke mos plotësuar formalitetet ligjore për arrestimin e një personi brenda afatit të caktuar me ligj (brenda 3 ditëve). Ka pasur gjithashtu raste që i burgosuri të mos jetë liruar nga burgu në kohën e caktuar nga gjykata, por është mbajtur disa ditë ilegalisht në burg, për burokracinë dhe neglizhencën e organeve të punëve të brendshme.

Pika e tretë

c.-Në drejtim të përdorimit të të burgosurve në punë: Ka pasur mjaft raste që kryetarët e degëve të Punëve të Brendshme në rrethet të kenë nxjerrë në punë të burgosurit në kundërshtim me rregulloren e burgut dhe udhëzimet që kemi lëshuar.

Pika e katërt

ç.-Në drejtim të sjelljes me popullin: Ka pasur raste që punonjës të Ministrisë së Brendshme të kenë keqpërdorur (qëlluar me pëllëmbë, sharë, shtytur, etj.) qytetarë të lirë të Republikës. Ka pasur shfaqje arrogance me popullin, shfaqje mendjemadhësie dhe dehje nga sukseset, ka pasur shpërdorim të funksionit.

Kritikat

Sipas ish-ministrit të Brendshëm: “Natyrisht të metat e mësipërme janë të rëndësishme sepse kanë të bëjnë me vijën e Partisë. Këto të meta dhe gabime janë konstatuar në mjaft organe të punëve të brendshme. Shkaqet kryesore që kanë bërë të mundur gabimet dhe fajet e mësipërme në organet e punëve të brendshme, janë”:

a.-Mungesa e kontrollit të nevojshëm nga ana e organeve superiore kundrejt organeve inferiore, nga mungesa e kontrollit të kryetarëve të degëve kundrejt inferiorëve të tyre;

b.-Mungesa e kontrollit të nevojshëm nga ana e organeve të Partisë mbi veprimtarinë e organeve të punëve të brendshme, mbi sjelljet dhe qëndrimin e çdo punonjësi të këtyre organeve që është anëtar partie si të gjithë anëtarët e tjerë të Partisë.

c.-Mungesa e kontrollit të nevojshëm nga ana e prokurorive

Epilogu

Në mbyllje të letrës së tij “Tepër sekret” Ministri i Punëve të Brendshme, Gjeneral-leitnant Mehmet Shehu do të ritheksonte dhe një herë idenë se jo Sigurimi i Shtetit, por Partia ishte mbi të gjitha: “Përgjegjësitë e organeve të Ministrisë së Brendshme, duhet ta marrin çështjen me seriozitetin më të madh dhe të marrin të gjitha masat për të ndrequr gabimet që mund të jenë bërë, të kontrollojnë pa ndërprerje veprimtarinë e vartësve, të sigurojnë kontrollin e plotë të partisë mbi veprimtarinë e organeve tona, të inkurajojë kritikën nga poshtë, të kërkojnë ndihmën e prokurorisë porsa i përket ligjshmërisë”.

Shehu: Tradhtari Xoxe donte të kontrollonte Partinë

Në pjesën e parë të të letrës së tij “Tepër sekret” Ministri i Punëve të Brendshme, Gjenaral-leitnant Mehmet Shehu do të ritheksonte dhe një herë idenë se jo Sigurimi i Shtetit, por Partia ishte mbi të gjitha organet drejtuese të jetës së Shqipërisë së atyre viteve. Ai u rikujton edhe një herë të gjithë drejtuesve të Degëve të Brendshme nëpër rrethe, se ishte pikërisht Ministria e Brendshme, e cila në vitin 1947 u bë organi më i rrezikshëm për strukturat partiake, duke u munduar t’i vendosi nën kontroll ato. Sipas Mehmet Shehut, në atë kohë ende me gradën e gjeneral-leitnantit: “Trockistët jugosllavë dhe agjentët e tyre në vendin tonë, me tradhtarin Koçi Xoxe në krye, siç dihet, u munduan në të kaluarën që t’i vinin organet e Ministrisë së Brendshme nën kontrollin e tyre dhe ta vinin Ministrinë e Brendshme mbi partinë, me qëllim që të shkatërronin partinë tonë dhe pushtetin popullor”

Shehu: “Partia të kontrollojë Sigurimin e Shtetit”

“Partia mbi të gjitha”, ky ishte dhe slogani që mbizotëronte në të gjitha direktivat që dilnin nga zyrat e Komitetit Qendror. Madje, mbi organizatat bazë të partisë nuk mund të dilte as ushtria dhe as organet e ministrisë së brendshme. Që mbas vitit 1947, kur pushteti politik u lëkund fort nga presioni i Ministrisë së Brendshme dhe levave të saj, masat që partia të kishte nën kontroll Sigurimin e Shtetit dhe kupolën e Ministrisë së Mbrojtjes, ishin shumë të mëdha. Për këtë bën fjalë edhe letra “tepër sekret” që Mehmet Shehu u bënte të ditur jo vetëm Degëve të Punëve të Brendshme, por njoftonte dhe Komitetin Qendror.

“Ju kujtojmë se në interpretimin që i kemi bërë platformës së Sigurimit të Shtetit të aprovuar nga Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë, jeni porositur që sekretarët e organizatave bazë të partisë nuk mund të jenë bashkëpunëtorë të organeve tona. Gjithashtu nuk mund të jenë bashkëpunëtorë të organeve tona as anëtarët e byrosë së organizatës bazë. Vetëm anëtarët e thjeshtë të partisë mund të jenë bashkëpunëtorë të organeve tona, por edhe kjo në raste sa më të rralla, në raste me të vërtetë të domosdoshme, sikurse u është theksuar shumë herë. Anëtari i partisë që është bashkëpunëtor i organeve tona, vepron vetëm në drejtim të armikut dhe në asnjë mënyrë nuk bëhet bashkëpunëtori ynë për të informuar mbi aktivitetin e organizatës bazë. Organet tona nuk përpunojnë organizatën bazë të partisë në asnjë rast. Një anëtar partie që është bashkëpunëtor i organeve tona në organizatën bazë ku ai bën pjesë ai është si të gjithë anëtarët e tjerë dhe nuk është bashkëpunëtori ynë brenda organizatës. Ai është bashkëpunëtori ynë vetëm jashtë organizatës dhe kurdoherë në drejtim të elementit armik, qoftë ky dhe anëtar i partisë sonë. Agjentura ndihmohet prej nesh dhe materialisht por kurdoherë sipas instruksioneve që kemi dhenë dhe jo siç bëjnë disa kryetarë dege, që ndërhyjnë pothuajse haptas në favor të një bashkëpunëtori të rekrutuar në bazë të materialit komprometues, gjë e cila nuk sjell veçse rezultate negative: së pari ne ndihmojmë publikisht një person që është kundërshtar i Pushtetit Popullor duke dëmtuar kështu vijën e partisë për sa i përket vigjilencës revolucionare dhe luftës së klasave dhe nga ana tjetër të dekonspirojmë bashkëpunëtorin tonë që për punën tonë operative mund të jetë shumë i vlefshëm. Në asnjë mënyrë të mos bëhen takime të punëtorëve operativë me bashkëpunëtorët haptas. Sidomos është rreptësisht e ndaluar të bëhet takimi haptas me një bashkëpunëtor që është armik i klasës sepse kjo dëmton rëndë vijën e partisë në drejtim të luftës së klasës dhe dekonspiron bashkëpunëtorin tonë. Takimi me bashkëpunëtorët, qofshin këta të rekrutuar në bazë të materialit komprometues apo me baza patriotike, është kategorikisht i ndaluar që të të bëhet në forma të hapta dhe jo konspirative. Shkelja e këtij parimi shkel rëndë punën operative veç të tjerave”.