Nga Mero Baze – Botuar më 3 janar 2014

Linja e interkonjeksionit Shqipëri – Mali i Zi është sulmuar me tritol në afërsi të Milotit, një vend tradicional, që “ka bërë emër” me atentate të ngjashme në vitet 2000, kur Berisha premtonte përmbysje “vetëm me djemtë e Mamurrasit”. Ndryshe nga herët e tjera, në shtyllën e dëmtuar është shfaqur një pankartë politike, ku shpjegohej dhe shkaku i sulmit, që sipas agresorëve ishin nafta dhe taksat.

Tipologjia e sulmit është aq direkte si opozitare, sa të bën të dyshosh se është një përpjekje e Berishës për ta tërhequr opozitën e Bashës me dhunë në traditën e opozitës së tij. Them se më shumë se sa opozitarë, kjo tipologji sulmi është berishiane, pasi në të kaluarën, kur Berisha i përdorte këto metoda, nuk lejonte mesazhe direkte opozitare. Fakti që ky sulm ka mesazhe të qarta opozitare, është një përpjekje e tij për ta tërhequr opozitën zvarrë, pas kushtrimit të tij për t’u ngritur në këmbë.

Të mendosh se në Milot, ku paga më e madhe është 30 mijë lekë, ku nuk paguajnë thuajse asnjë taksë dhe nuk presin asnjë kupon tatimor, janë të shqetësuar seriozisht se mos rriten taksat, është banale. Të thuash po ashtu, që zona Milot- Mamurras ka problem me rritjen 10 lekë të taksës së qarkullimit, ku shumica e makinave janë të vjedhura, është po ashtu banale. Ta konsiderosh zonën Milot- Mamurras si një zonë formale biznesi dhe shembull i taksapaguesve që reagojnë ndaj çdo luhatje të sistemit fiskal, është të tallesh me veten. I vetmi shpjegim i besueshëm është se disa elementë kriminalë nga kjo zonë, e cila tashmë është një mbetje e një ish- bastion të PD-së, kërkojnë të ringrihen përmes të njëjtës mënyrë si kanë funksionuar në opozitën radikale të Berishës në vitet 2000, duke iu imponuar jo vetëm pushtetit, por dhe opozitës anemike të Bashës.

Dhe skema është e njëjtë. Edhe pse kanë kaluar 48 orë nga hedhja në erë e shtyllës së tensionit, Partia Demokratike nuk ka asnjë deklaratë distancuese prej tij. Fakti që në vendngjarje është gjetur një pankartë opozitare, që hyn në një gjatësi vale me thirrjet e Berishës për përmbysje, pas miratimit të buxhetit ku rritet taksa e naftës, opozita qoftë dhe për sy e faqe, duhet të bënte një deklaratë distancuese. Fakti që nuk e bën, nuk do të thotë se ajo ka urdhëruar atentatin doemos, por ajo nuk dëshiron të dekurajojë atentate të tilla.

Ata që vendosin kallëpe tritoli në zonën Mamurras- Milot, janë kontingjente krimi të afërta me Berishën dhe të përfaqësuar në PD e parlament. Ata mund të kenë vepruar dhe me iniciativë pas thirrjeve të Berishës për t’u “ngritur” kundër qeverisë. Por roli konkret i Berishës dhe Bashës fillon tek inkurajimi i tyre, tek mbrojtja e tyre dhe mosdistancimi nga krimet e tyre.

Autorët e këtij akti kriminal tani ndjehen të mbrojtur nga opozita dhe në luftë me qeverinë. Ata kanë arritur suksesin e tyre të parë politik, duke e detyruar opozitën zyrtare të heshtë dhe të jetë aleate me ta në këtë krim. Ky është një zhvillim serioz që fut opozitën në rrugën e krimit politik.

Fakti i vetëm publik që kemi, është se Sali Berisha në prag të Vitit të Ri, në urimin e tij për shqiptarët ka bërë thirrje “të ngrihemi në këmbë!!”. Tritoli mbi shtyllat e tensionit ka ndjekur thirrjen e tij, ndërsa heshtja e tij dhe Bashës ndaj aktit terrorist, janë inkurajimi real që i bëhet kësaj fushate terrori.

Dhe ndaj fushatave të terrorit nuk ka receta të gatshme. Të vësh tritol mbi shtylla dhe t’ia mbathësh nëpër natë është një gjë e lehtë. Ne nuk kemi një polici dhe as mundësi të ruajmë çdo shtyllë me një polic. Situata të tilla terrori të motivuara nga politika, zgjidhen politikisht. Sali Berisha duhet të thirret qoftë dhe për një bisedë formale nga policia si një person që ka dijeni, lidhur me thirrjet e tij për përmbysje dhe lidhjet e tij me grupet kriminale në atë zonë. Deri më tani ai është i vetmi person që ka bërë thirrje për “t’u ngritur në këmbë” dhe i është dëgjuar fjala nga terroristët. Po ashtu deri tani ai nuk ka dënuar atentatin edhe pse aty kishte mesazhe të qarta politike në një gjatësi vale me “arsyet e tij” për “t’u ngritur në këmbë.

Vetëm një distancim i qartë politik ndaj akteve terroriste, nga gjithë faktorët politik në vend, i jep dorë të lirë policisë të hetojë dhe të izolojë elementët kriminalë. Derisa nuk ka distancim politik, atëherë puna duhet filluar nga ata që e mbështesin terrorin me heshtjen e tyre miratuese. Terrori e fitoi betejën e parë. Ai ka tashmë aleancë me opozitën.