SEANCE PARLAMENTARE - Kryeministri Sali Berisha, zevendesi i tij Ilir Meta dhe ministri i Brendshem, gjate nje seance parlamentare, ku u miratuan pa pranine e opozites dy ministrat e rinj te qeverise, Edmond Haxhinasto si minister i Jashtem dhe Ilri Meta Minister i Ekonomise.

Nga Flogert Muça/

Teksa të gjithë kanë drejtuar sytë nga selia blu se ç’do të ndodhë me mandatet dhe për të kuptuar arsyen e vërtetë të këtij akti të rrezikshëm demokratik që opozita e Berishës, Bashës e Kryemadhit ka ndërmarrë, përgjigjen e ka dhënë sot në një intervistë për Deutsche Welle, Presidenti Ilir Meta.

Duke shuar të gjithë zërat e skeptikëve apo cinikëve që bëjnë sikur se kuptojnë hallin e vërtetë të opozitës, Meta sot e tha hapur në intervistë faktin se mazhoranca duhet të tërhiqet nga reforma në drejtësi, që edhe opozita të tërhiqet nga lënia e mandateve.

Si lexohet kjo deklaratë e Metës?

Të gjithë e dimë se deri dje, drejtësia e vjetër ishte në dorë të ish-kryeministrit Berisha dhe Presidentit Meta, të cilët kur qeverisnin bashkë në periudhën 2009-2013, emëruan të gjithë kupolën e drejtësisë. Emëruan pikërisht këtë kupolë që ngeci në rrjetën e vettingut për lidhjet e saj me krimin, pasurinë e pajustifikueshme e të tjera si këto. Emëruan pikërisht ata njerëz që nuk do lejonin t’ju hynte gjemb në këmbë as Berishës, as Metës e as njerëzve të tyrë të emëruar në pozita kyçe pushteti.

Por, falë vendosmërisë së ndërkombëtarëve(kryesisht SHBA-ve) dhe mbështetjes pa ekuivok nga ana e kryeministrit Rama u realizua një ndër reformat më të rëndësishme të dy dekadave të fundit, ajo në drejtësi. Nën monitorimin dhe ekspertizën e partnerëve ndërkombëtarë, u bë dhe po bëhet pastrimi dhe ngritja e organeve të reja të drejtësisë së re. Është pikërisht kjo reforma kryefjala e gjithçkaje si në Tiranë ashtu edhe në Bruksel. Veçse në Tiranë kjo reformë është problemi, ndërsa në Bruksel shihet si maja e suksesit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt çeljes së negociatave.

Thënë të gjitha këto, leximi i deklaratës së Metës bëhet shumë i thjeshtë. Ai në emër të opozitës ka kërkuar sot nga ndërkombëtarët dhe nga Rama që reforma në drejtësi të mos shkojë deri në fund, pasi duke ditur të shkuarën e liderëve të opozitës, është krejt i sigurtë se e ardhmja e tyre do jetë shkatërruese. Askush më mirë se Meta nuk e di se çfarë i ka bërë Berisha, Basha, Mediu e vetë ai Shqipërisë në tre dekada pluralizëm. Ndaj, Meta sot ka hedhë ofertën ku në këmbim të rikthimit në parlament të opozitës, kërkon zhbërjen e reformës në drejtësi.

Ndaj edhe deklarata e tij që maxhoranca duhet të tërhiqet nga reforma në drejtësi, është ndoshta me e sinqerta e bërë nga opozita dhe më e kuptueshmja nga shqiptarët. Gjuha shkon ku dhemb thëmbii thotë populli, ndaj Ilir Meta sot ka treguar dhëmbin e prishur të opozitës, që e ka detyruar atë të marrë hapa ekstremë në dëm të Shqipërisë e drejtësisë, vetëm për tu mbrojtur nga e shkuara e saj.

Deklarata e Ilir Metës sot e cila kaloi si pa u vënë re nga mediat, është në fakt këmbana e madhe që tregon frikën e opozitës nga drejtësia. E aq e madhe është kjo frikë, sa ka bërë që Ilir Meta të dalë e të kërkojë moszbatimin e saj hapur edhe në emër të Berishës, Bashës e Kryemadhit.

Të gjitha deklaratat e tjera politike në emër të votës së lirë janë brroçkulla që jo më kot Ilir Meta nuk iu jep rëndësi. Halli i madh është drejtësia e cila nuk duhet të veprojë. Meta e tha, tani është rradha e SHBA-BE-mazhorancë që të flasin nëse do tërhiqen nga projekti i tyre për reformimin e drejtësisë tani që janë në hapat a fundit, apo do të vazhdojnë.

Mbetet të presim.