Ylli argjentinas i “Barcelonës”, Lionel Messi është sportisti më i mirëpaguar në të gjithë planetin për vitin 2019 me 127 milion dollarë (112,5 milionë euro), sipas një klasifikimi të përvitshëm të revistës amerikane “Forbes” të publikuar sot.

Mes periudhës qershor 2018-2019, Messi ka përfituar 92 milionë dollarë pagë dhe shpërblime, si dhe 35 milionë dollarë në sajë të bashkëpunimeve dhe kontratave të sponsorizimeve.

“Pleshti”, ka lënë prapa dy yjet e tjerë të futbollit, portugezin, Cristiano Ronaldo (109 milionë dollarë) dhe brazilianin Neymar (105 milionë dollarë).

Kjo është hera e parë që nga krijimi i këtij klasifikimi në 1990 që futbolli monopolizon podiumin.

Argjentinasi është sportisti i katërt që në 19 vite del në krye të këtij klasifikimi që ka nisur 19 vite më parë, pas monopolit të vendosur nga mbreti i golfit Tiger Woods (12 herë në krye të klasifikimit), legjendës së boksit Floyd Mayweather (4 herë) dhe Ronaldo (2 herë).