Nga Albert P. Nikolla/

Themelimi i Partisë Demokratike zë fill prej një momenti historik ku liria sapo kishte nisur të formësohej si kërthi i njomë. Shumë persona janë tërhequr si me magji prej duhisë që ngriti peshë liria. Kjo bënte që natyrshëm ithtarët e PD-së të mos vinin re se kush po e drejtonte lëvizjen dhe çfarë qëllimi kishte. Ishte kohë revolucionare dhe më shumë se “kush”, njerëzve u interesonte “çfarë”! Ishte kohë ëndërrimesh, pasionesh të bukura e pakkush donte të vrojtonte profetët e rremë. Jo më kot A. Gramshi pohonte se çdo revolucion është romantik. Ndoshta ky element i revolucionit është pika e tij e dobët! Profetët e rremë përfitojnë e nuk ka Zot që i shkul prej pushtetit që sjell revolucioni, mësa rriqra prej trupit!

Element i fortë ngjizës i kësaj rryme të PD-së ishte fryma e dhunës. As sot e kësaj dite kjo frymë nuk i është shqitur, megjithëse Europa është më pranë se kurrë. Është e dhimbshme të shohësh ish-deputetë që kacafyten me zyrtarë të policisë brenda institucioneve shtetërore. Dhunuesit nuk janë në thelbin e tyre të tillë, por i bën të dhunshëm rregulli i pashkruar i karrierës në PD: po nuk u dëshmove i dhunshëm, nuk mund të jesh pjesë e listës në zgjedhje! Për këtë arsye ata janë viktimat e para të vetë dhunës së tyre. Edhe ndërrimi i strategjisë së protestës së fundit, e cila nuk ishte e dhunshme, dëshmon se orkestruesit e vërtetë të dhunës në protestat e mëparshme ishin  ishin vetë ata. Kjo parti ka mbetur skllave e mendësisë së dhunës dhe e shikon përdorimin e saj si nevojë për t’u përballur me mungesën e masivitetit të protestave të saj.

Kjo plagë e pashërueshme e PD-së është bërë emblema e saj dhe është, mjerisht, orakulli që ka shënjuar pamundësinë e kthimit të saj në pushtet, pasi pjekja e kulturës demokratike te shqiptarët tashmë ka arritur një cak të tillë që e refuzon dhunën dhe mirëpret frymën europianë të politikëbërjes. Si mund të dalë nga kjo batakovinë? Një përgjigje vjen nga mitologjia greke, sipas së cilës, shtiza e Akilit kishte një veti çudibërëse: pasi kishte shkaktuar një plagë me goditjen e parë, me goditjen e dytë mund të shëronte plagën e mëparshme. Besoj se kjo është një metaforë e shpëtimit të PD-së: vetëm një rithemelim do ta shpëtonte plagën e thellë të kësaj partie. Këmbëngulja me mendësinë e vjetër nuk bën gjë tjetër veçse e bën opozitën zhurmëmadhe, bën që krismat e saj t’i ngjajnë krrokëritjeve të sorrave dhe krisjes së arrave zhigla, pa fryt brenda.

Mendësia e dhunës krijon në mënyrë të natyrshme gjallërimin e këtij instinkti te ndjekësit e kësaj partie. Besoj se episodet e dhunës që vërehen shpesh në protestat e opozitës, veçse të udhëzuara prej drejtuesve, kanë edhe një shpjegim pedagogjik: P. Freire, ndër pedagogjistët më të mëdhenj të shekullit të kaluar, pohonte se të dhunuarit dhunojnë, nuk i shpëtojnë dot këtij tundimi ndjellakeq! Kështu që e keqja politike që mbjell PD-ja është edhe kulturore, dhe si e tillë e destinuar të zgjasë në kohë në breznitë e ardhshme të mbështetësve të saj, nëse nuk kryen një rithemelim serioz dhe vendimtar!

Kushdo që e shikon këtë harè si ndodhi të kobshme, besoj se nuk i përket palcës së mirë të Shqipërisë!/Lexo.al