I veshur serioz, me kostum e kollare, një i ri shqiptar kishte arritur të kryente disa vjedhje në Itali, duke mashtruar përmes imazhit të rremë që kishte krijuar. Sipas mediave italiane, 27-vjeçari Klodian Nikolli i kishte dhënë vetes titullin Doktor, nisur nga një diplome e falsifikuar në Ekonomi.

I njohur ne nofktën Doktor K, ai arrinte të futejnë mjedise luksoze, që më pas bëheshin shënjestra e “vjedhjeve” të tij. Mediat shkruajnë se i riu shqiptar ishte dëbuar nga Italia në vitin 2016, por ishte rikthyer në mënyrë ilegale. Falë lidhjeve me femrat, kryesisht studente në universitetet e Milanos, ai frekuentonte hotele dhe apartamente luksi, të cilat pasi i studionte, edhe i grabiste, i ndihmuar edhe nga forma e mirë fizike.

Pas një hetimi disamujor, nisur edhe nga jetesa luksoze që i riu bënte në Milano, policia bëri të mundur arrestimin e tij. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e 27-vjeçarit, policia italiane ka gjetur në apartamentin e tij orë, aksesorë luksozë, smartfonë të modeleve të fundit, dhe vepra arti.