Sipas Institutit të Statistikave, norma e zotërimit të një shtëpie nga familjarët në vendin tonë fiksohet në 93%.

Pra, më shumë se 9 në 10 familje shqiptare e kanë të tyren shtëpinë ku jetojnë. Këtu klasifikohen pa diskutim edhe ata që kanë marrë hua për të blerë shtëpinë si dhe ata që janë në proces legalizimi, pra që nuk janë pronarë me letra të shtëpisë së tyre. Po sipas instat, norma e atyre që jetojnë me qira, fiksohet në 5.4%, pra thuajse 1 në 20 familje. Pjesa e mbetur, 1.6%, kanë shtëpi në përdorim, pra as nuk është e tyre e as nuk paguajnë për të qëndruar aty. Norma është mjaft e lartë, krahasuar edhe më vendet më të zhvilluara të botës. Po të bëjmë një krahasim me disa shtete të botës dhe Europës, pa diskutim që Shqipëria është ndër vendet e para.

Për vende si Zvicra norma zbret në 43%, për Gjermaninë në 52%, për SHBA-në në 64%, Italinë në 73%, apo Norvegjinë në 83%. Madje, vendi ynë rezulton të ketë një normë më të lartë edhe se Singapori, një ndër shtetet vetme në botë që e ka zgjidhur problemin e strehimit nëpërmjet një programi të gjerë dhe të hartuar mirë, që daton disa dekada më parë. Nga ana tjetër, Instat thotë se, pak më shumë se gjysma e familjeve shqiptare jetojnë në një shtëpi nga 51 deri në 90 metra katrorë, 34.8% jetojnë në një shtëpi nga 91 deri në 130 metra katrorë, 7.1% më shumë se 130 metra katrorë dhe 7.5% më pak se 50 metra katrorë.

Ajo që bie tjetër në sy nga shifrat e instat është fakti se 71.9% e familjeve shqiptare, pra thuajse 3 në 4, jetojnë në një shtëpi private, 14.8% në një pallat me më pak se 15 apartamente, dhe 13.1% në një pallat me më shumë se 15 apartamente. Pallatet e mëdha nga ato të vogla i referohen thuajse ekzaktësisht pallateve para viteve 90 me ato pas viteve 90, pra me ato deri në 15 apartamente që janë ndërtesat e vjetra. Fakti që pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare jetojnë nëpër shtëpi private lidhet me popullsinë rurale dhe sidomos me numrin e lartë të ndërtesave nëpër zona informale.