Rritja ekonomike e 3-mujorit të tretë në vend është 4,5%, më e larta e një tremujori, që prej vitit 2011. Kryeministri Edi Rama e veçoi këtë fakt në fillim të fjalës së tij në konferencën e fundvitit me mediet, duke theksuar se janë dy lajmet e mira që vijnë në këtë fundviti, por që janë anashkaluar nga atmosfera që solli protesta e studentëve.

Përveç rritjes ekonomike, edhe konsumi final i popullatës është rritur me afro 4 %, krahasuar me një vit më parë.

Kryeministri vuri në dukje se në 5 vitet e fundit ka pasur një rritje të vazhdueshme të konsumit final të popullatës, duke bërë që që prej vitit 2013 të ketë një rritje mesatare prej 3,7%.

“Janë fakte që mbeten kokëforta pavarësisht se tërësia e fakteve në kohën që jetojmë mbeten në sfond, ndërsa rolin kyç në komunikimin me publikun e zënë lajmet e rreme. Janë fakte kokëforta që flasin për fuqinë blerëse të rritur dhe për të vërtetën që shqiptarët jetojnë sot më mirë se dje, dhe padyshim nuk jetojnë sot aq mirë, sa me të drejtë duan të jetojnë”, – theksoi Kryeministri.

Ajo që është më e rëndësishme, sipas Kryeministrit, është që bëhet fjalë për një rritje ekonomike cilësore, pasi ka ardhur si pasojë e rritjes së balancuar të konsumit dhe investimeve, një rritje e shëndetshme. “Kjo rritje ekonomike flet për një ekonomi shumë më konkurruese sesa një vit më parë”, – tha Kryeministri Rama.