Për herë të parë në vitin 2018, eksportet bujqësore shqiptare kapën vlerën e 300 milionë dollarëve, një dyfishim në harkun kohor të pesë viteve.

Një prej produkteve që ka njohur rritjen më të madhe të eksporteve është pikërisht domatja, e vendosur rishtaz në qendër të vëmendjes për cilësinë e saj.

Pavarësisht disa rasteve të izoluara të keqpërdorimit me hormonet në tregun vendas, në vitin 2018 Shqipëria arriti të eksportonte plot 300 milionë dollarë domate, pothuajse eksluzivisht në vende të Bashkimit Europian.

Kjo e vendos vendin tonë në vendin e 20 në botë, sa i përket eksportit të domateve dhe të parën me diferencë në rajon.

E gjatë vitit të lënë pas, mosregjistrimi i rasteve të kthimit të domates nga vendet e BE për shkak të keqpërdorimit të pesticideve flet qartë për një cilësi të shkëlqyer të këtij produkti shqiptar.

Konkretisht, pas Shqipërisë, e dyta në rajon përsa i përket eksportit të domates është Maqedonia e Veriut. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2017, eksportet e këtij produkti në këtë vend arritën shifrën e 17,1 milionë dollarëve.

Më pas, vjen Greqia, me 14,2 milionë dollarë eksport domatesh, Bullgaria, me 8,2 milionë dollarë dhe Kroacia me 7,9 milionë dollarë.

Serbia, e cila pjesërisht plotëson nevojën e saj për domate me produkt shqiptar, ka eksportuar 5,3 milionë dollarë të këtij produkti, ndërsa Rumania dhe Bosnja, të dyja eksportojnë më pak se një milionë dollarë secila.

Përballë debatit të krijuar rishtaz në vendin tonë, natyrshëm shtrohet pyetja. Nëse domatet tona kanë probleme, përse ato janë më të preferuarat në të gjithë rajonin dhe pranohen kaq lirisht në vendet e BE-së, ku pa dyshim, kontrollet janë shumë herë më strikte se në Shqipëri?